Shkodër, kapet 4 kg kanabis, dy në pranga

Policia e Shkodrës ka sekuestruar 4 kg kanabis ndërsa ka vënë në pranga edhe dy poseduesit e drogës. Burime nga policia bëjnë me dije se në sajë të operacionit të koduar "Ura e fshatit Bardhaj" janë arrestuar shtetasit Elvis Kajtazi 29 vjeç lindur në Pejë, Kosovë dhe banues në Podgoricë të Malit të Zi dhe Pëllumb Podja 34 vjeç nga Shkodra.
Arrestimi i tyre u bë, pasi mbrëmë gjatë orëve të vona pas kontrollit të ushtruar në mjetin me targë PG AA 817, me drejtues shtetasin Elvis Kajtazi dhe pasagjer shtetasin Pëllumb Podja, pikërisht në bagazhin e këtij automjetit, në brendësi të gomës rezervë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale i 6 pako të mbështjella me plasmas të zi e natriban, të mbushura me material bimor kanabis sativa, në formë boçe, në gjëndje të tharë, me peshë gjithsej 4 kilogram.
Gjithashtu, gjatë kontrolit të ushtruar këtyre dy shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe nje sasi prej 1155 euro, të cilat dyshohet të jenë përdorur për të blerë lëndën narkotike të sipërpërmendur.
Ndërkohë materialet në ngarkim të dy të arrestuarve, i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale "Prodhim dhe shitje e narkotikëve".