E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta në Selanik, presidenti grek largohet nga parada

ATHINE-Presidenti i Greqisë Karolos Papulias u largua sot nga parada e Selanikut, pasi turma e njerëzve lëshoi thirrje fyese duke krijuar tension të madh. Anulohet parada ushtarake që do të zhvillohej këtë paradite.
Qindra njerëz kishin bllokuar bulevardin e madh ku do të zhvillohej parada për të protestuar, gjë që shkaktoi vonesa në fillimin e saj dhe më pas anulimin e plotë. Policia bllokoi podiumin ku ndodhej presidenti, me qëllim për të mos lejuar turmën t’i afrohej.
Duke folur për gazetarët në largim e sipër, Presidenti i Republikës shprehu keqardhjen dhe pakënaqësinë e tij në lidhje me reagimet e popullit. "Më vjen shumë keq për këtë që ndodhi, është turp. Unë erdha për të nderuar qytetin. Eshtë e turpshme të dëgjoj mesazhe të tilla fyese. Eshtë turp të më quajnë “tradhtar”, kur unë kam kam luftuar 15 vjet kundër nazizmit për vendin tim," tha Presidenti i Republikës Papulias.
Policia greke kishte marrë masa të shtuara për të shmangur të tilla “surpriza” të pakëndshme kundër politikanëve që do të merrnin pjesë në festimet e sotme, për të shmangur kontaktin mes tyre dhe qytetarëve të zemëruar.
Sipas gazetës Protothema, ka patur madje disa politikanë që kanë njoftuar policinë në lidhje me programin e sotëm, në mënyrë që të mbrojnë ata në qoftë se do të ketë sulme verbale nga turma ose lëvizje kërcënuese kundër tyre.

Oficerët e sigurisë, skuadrat e policisë për trazirat, makina të policisë dhe ekipi i policisë DI.AS. ishin të pranishëm në paradën e Selanikut dhe në një shkallë më të vogël edhe në pjesën tjetër të Greqisë, por kjo nuk i pengoi qytetarët e zemëruar të shprehnin revoltën e tyre me thirrje fyese dhe vezë, duke shkaktuar për herë të parë një incident të tillë.
28 Tetori i sivjetëm shënon 71 vjetorin e fillimit të luftës italo-greke, dhe njihet nga populli grek si “dita e JO-së”, pasi kryeministri i asaj kohe Joanis Metaksas refuzoi me një JO ultimatumin e Italisë së Musolinit, për të hyrë pa hasur rezistencë në tokën greke nëpërmjet kufirit shqiptar, gjë që u bë shkak për fillimin e luftës.
Këtë vit kjo festë kremtohet në një situatë të vështirë për Greqinë, e cila është e detyruar të përjetojë masa tepër shtrënguese ekonomike dhe për këtë qytetarët grekë, fajësojnë gjithë klasën politike. 

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›