E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistët anglezë mahniten te fabrika “Birra Korça”

 

KORÇE / JORGJETA GJANÇI

Fabrika e “Birra Korça” tashmë është shndërruar dhe në një destinacion të turistëve që mbërrijnë në qytetin juglindor. Ambientet moderne dhe me pajisje të sofistikuara për prodhimin e birrës së zezë dhe bionde kanë tërhequr një numër të madh vizitorësh, vendas e të huaj.
Paraditen e djeshme, një autobus i mbushur me turistë anglezë ka ndalur në hyrje të fabrikës. Ata zbritën në oborrin e saj dhe filluan të shohin plot kërshëri ndërtesën që lartohet mes harqesh, që të kujtojnë kështjellat e hershme. I pari që u uroi mirëseardhjen në fabrikë ishte Presidenti i fabrikës, Irfan Hysenbelliu. Ai i përshëndeti dhe i ftoi ta vizitonin fabrikën në të gjitha ambientet e saj. Mandej rezervoi për ta një takim të shkurtër e mandej iu afroi plot bujari birrë e meze. Rreth tavolinave të bashkuara në barin e vetë fabrikës, turistët anglezë shprehën mendimet e konsideratat e tyre për fabrikën dhe birrën që ajo prodhon. Nik Ellëz pohoi se: "Kjo fabrikë është një perlë. Nuk e prisja që këtu në Shqipëri të shihja një fabrikë të tillë, sa të vjetër në arkitekturë, aq moderne. E kam fotografuar dhjetëra herë dhe do t'ua tregoj miqve të mi atje në Angli kur të shkoj". Turisti Riçard Borlo, që mban titullin Profesor dhe që ka punuar lektor në Universitetin e Londrës, në impresionet e tij pas vizitës nëpër fabrikë u shpreh: "Unë kam shëtitur shumë me punë dhe si turist. Kujtoja se një fabrikë birre që kam parë në Danimarkë ishte shumë e mirë, por "Birra Korça" që pashë sot ia kalon edhe asaj, qëndron shumë më lart. Edhe po ta krahasoj me birrarinë moderne të Karlsbergut në Danimarkë, përsëri kjo shkëlqen, konteinerët e kësaj fabrike shkëlqenin si të ishin gurë të çmuar. Jam i impresionuar".
Turistët i entuziazmoi veçanërisht fakti që "Birra Korça" prodhohet me ujë natyral që zbret nga vargmali i Moravës. "Ka shtete, - u shpreh Najxh Goduin - që tregtojnë ujë natyral dhe nxjerrin fitime kolosale e janë bërë të suksesshëm, ndërsa ju ofroni birrë të prodhuar me ujë natyral mali, gjë që e bën dyfish me vlerë prodhimin". Ndërsa bashkëshortja e tij, Ana, kërkoi që në ambalazhimin e "Birra Korça" të shënohet që është prodhim i Shqipërisë. "Po ta gjeja me këtë etiketë në supermarket, unë do ta përzgjidhja se sot e provova dhe e shijova këtë birrë, që për mua është njëlloj si birrat e famshme çeke". Lajmi se ky prodhim ka fituar certifikatën ISO 22.000 për cilësinë dhe garancinë e konsumatorit nuk i befasoi, sepse ata panë me sytë e tyre se në çdo skutë të fabrikës kishte pastërti verbuese, rregull, kontroll.

“Birra Korça” në panair

Panairi i hapur prej dy ditësh në Vlorë, me pjesëmarrjen e 80 bizneseve vendase e të huaja i ka lënë një vend të veçantë "Birra Korçës". Ajo ka tërhequr vizitorë të shumtë që kanë marrë pjesë në panairin "Ekspo Vlora 2008". Sipas përfaqësuesve të kompanisë në Vlorë, ky aktivitet biznesi po shërben për të lidhur kontrata direkte me kompani të ndryshme që operojnë jashtë. Në këtë panair ka një pjesëmarrje të gjerë, ku përfshihen dhe firma të rëndësishme nga Italia, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, etj. Pej kohësh, "Birra Korça" është bërë pjesa bazë e aktiviteteve të ndryshme.

 Drejtori: "Birra Korça", e denjë për në Perëndim

Drejtori i fabrikës, Fatbardh Çangu, tregon se tani birra prodhohet me malto çeke dhe lupolo (aromë) çeke. Përzgjedhja nuk është koinçidencë, ajo është bërë për të arritur prodhimin e birrës më të mirë, dhe në këtë aspekt Çekia është e para. Gjithë prodhimi i "Birra Korça" tregtohet e konsumohet brenda vendit tonë. Por Çangu bën të ditur se prej afro një viti në fabrikë kanë ardhur kërkesa të shumta për të tërhequr birrë kompani nga vendet fqinje, nga disa vende evropiane e deri në SHBA. Plotësimin e këtyre kërkesave do ta mundësojë zgjerimi i kapacitetit prodhues. "Birra jonë e meriton të renditet përkrah atyre më të mirave në supermarkete dhe të konkurrojë denjësisht me to", u shpreh ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›