E Shtunë, 31 Tetor 2026

Busek: “Liberalizmi i vizave, brenda 6 muajve”

Autori i Lajmit: RedaksiaParlamenti Evropian mbështet liberalizimin e vizave për Shqipërinë, i cili pritet të ndodhë në këto 6 muaj. Kështu është shprehur dje kreu i PE-së, Jerci Busek, në takimin që zhvilloi me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në Bruksel. Por Busek është treguar më pak optimist për sa i përket integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ai tha se në këtë moment të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë është i nevojshëm bashkëpunimi qeveri-opozitë dhe se bojkoti është shumë i keq. Busek shtoi se PE nuk mund të bëjë asgjë në këtë drejtim, sepse ky është një problem i brendshëm i Shqipërisë.
Vizat
Busek ka theksuar se një nga çështjet më të rëndësishme në diskutimet midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë është diskutimi në nivel Parlamenti. Nga kjo pikëpamje është
e nevojshme, sipas tij, që Parlamenti në Shqipëri të punojë si një Parlament i plotë dhe eficent. “Ne dëshirojnë të kemi bisedime konstruktive mes parlamenteve gjatë gjithë kohës dhe ndoshta çështja më e rëndësishme është liberalizimi i vizave. Unë mund të them, nga ana ime, dhe me sa kam dijeni nga negociatat sot, kjo do të jetë e mundur në korrik të vitit 2010, pra në gjysmën e vitit dhe unë e di shumë mirë sa e rëndësishme është kjo për qytetarët shqiptarë dhe për politikanët shqiptarë për tu treguar qytetarëve të tyre se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Ne jemi shumë të hapur për këtë. Faleminderit që erdhët në Parlamentin Evropian, sepse pa bisedime nuk mund të përmirësojmë bashkëpunimin tonë. Ne kemi diskutime konstruktive dhe, siç mund ta kuptoni, fjalia e fundit është e njëjtë me atë në fillim”,- tha ai. Kryetarja e Kuvendit falënderoi zotin Busek për mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe e ftoi për një vizitë në Shqipëri dhe për tiu adresuar Parlamentit Shqiptar.
Bojkoti
Kreu i PE-së ka komentuar më tej dhe bojkotin e opozitës, duke pohuar se Brukseli pret zgjidhjen e situatës. “Nëse ju doni të ndryshoni gjërat në vendin tuaj, ju duhet bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës. Ne e dimë që ka gjithmonë tensione mes qeverisë dhe opozitës, si në çdo vend demokratik, por bashkëpunimi është i nevojshëm, veçanërisht në këtë moment, kur qeveria dhe opozita duan ti bashkohen familjes evropiane. Prandaj, nga kjo pikëpamje, një bojkot i tillë është i keq, shumë i keq. Kjo nuk jep shumë mundësi, por për ne është e pamundur ta zgjidhim këtë. Ky është një problem i brendshëm i Shqipërisë dhe ne po presim që ky problem të zgjidhet. Do të ishte shumë mirë nëse ne do të shikonim që i gjithë Parlamenti punon”, - u shpreh Busek. Ai shtoi se Parlamenti Evropian e vlerëson shumë të rëndësishme që në Parlament të ndërmerren reforma për të luftuar krimin e organizuar dhe kjo është e domosdoshme edhe për vetë vendet anëtare të BE-së. “Ne kemi ndërmarrë shumë reformat për të gjithë vendet e BE-së, sipas programit tonë të Stokholmit dhe në këtë pikë edhe kërkesa për palën e ftuar për të bërë reforma për të ndryshuar disa gjëra, është shumë e rëndësishme gjithashtu. Kështu, në shumë këndvështrime do të thosha që deklarata është optimiste”, - tha ai. Lidhur me bojkotin, Topalli përsërit ftesën drejtuar opozitës për të ardhur në Parlament. “Në Kuvend ne kemi arritur dhe do të arrijmë dhe për këtë jam e sigurt, kompromise dhe negociata shumë të rëndësishme. Ndaj edhe shfrytëzoj rastin për të ftuar që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve, për të respektuar mandatin që i kanë dhënë shqiptarët për liberalizimin e vizave për integrimin e Shqipërisë në BE dhe mbi të gjitha për të gjitha reformat e tjera dhe sfidat e rëndësishme që kemi përpara”, - tha ajo.

Përmbytjet, PE vlerëson punën e Qeverisë

Parlamenti Evropian është solidarizuar me gjendjen e krijuar nga përmbytjet në veri të Shqipërisë. Busek ka vlerësuar punën e Qeverisë shqiptare në përballimin e situatës. Deklarata është bërë pas një takimi që Busek zhvilloi me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli. “Ne i vlerësojmë përpjekjet e qeverisë shqiptare për të evakuuar njerëzit nga territori i rrezikuar. Parlamenti Evropian mbështet fort Komisionin Evropian në ndihmën që po i jep Shqipërisë. Është një situatë e veçantë dhe ne duhet të tregojmë solidaritetin tonë në këtë rast”, - u shpreh Busek. Disa vende të BE-së janë solidarizuar konkretisht me gjendjen e krijuar në Shkodër duke dërguar ndihma dhe mjete që shërbejnë për operacionet e evakuimit dhe shpëtimit. Ndërkohë që Bashkimi Evropian i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shqipërisë për një grup ekspertësh. Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka njoftuar se për shkak të përmbytjeve të rënda në veri të vendit, më 7 janar 2010 Shqipëria bëri kërkesë për ndihmë ndërkombëtare. Në përgjigje të kësaj kërkese, këto ditë, Bashkimi Evropian do të dërgojë në Shqipëri një grup ekspertësh. Pjesë e këtij grupi është edhe një ekspert gjerman nga Organizata për Asistencë Teknike. Autoritetet gjermane janë në kontakt të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe institucionet ndërkombëtare që koordinojnë asistencën dhe mbështetjen për Shqipërinë.
Ky lajm është publikuar: 13/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›