Shkodër, probleme nga rrjedha e Drinit

Hidrocentrali i Ashtës
Punimet për ndërtimin e Hidrocentralit të Ashtës kanë krijuar jo pak probleme në komunën e Berdicës. Në fshatin e Berdicës së Sipërme, uji i lumit Drin, jo vetëm që ka gërryer tokat bujqësore por tashmë rrezikon edhe banesat dhe lokalet në anë të rrugës Shkodër-Lezhë. Banorët shprehen se nuk janë kundër investimeve në energjetikë por projekti duhet të kishte marrë parasysh dhe këtë që po ndodh.
Janë 500 m tokë që kanë humbur në këta dy muaj nga ndryshimi i rrjedhës së lumit Drin me hapjen e tij tek diga e Spatharit. Uji po vjen afër banesave dhe askush nuk na thotë asgjë, shprehen banorët. Ato shtojnë se ndihen të kërcënuar nga toka që vazhdon të mbulohen nga uji për shkak të ndryshimit të rrjedhës së lumit Drin.
Kryetari i komunës Berdicë, Besnik Brahimi, shprehet se i ka kërkuar institucioneve përkatëse ndërtimin sa më të shpejtë të argjinaturave mbrojtëse që të pengohet gërryerja e tokës. Për atë tokë që e ka marrë lumi nga ndërtimi i hidrocentralit, shteti duhet të përgjigjet dhe tu japë lekët banorëve sipas ligjeve në fuqi, thekson kryekomunari.
Sipas specialisteve përkatës ka ndryshuar rrjedha e lumit Drin si pasojë e punimeve që po bëhen në HEC- in e Ashtës ndaj duhet të ndërhyhet me prita për të parandaluar gërryerjen e tokave. Toka në këtë fshat është ndarë me 7501 dhe ka dokumente pronësie të rregullta.