E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji për moshën e tretë, Meta sulmon Berishën

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, takoi edhe përfaqësues të moshës së tretë, të cilët i informoi për mosmiratimin e projektligjit të paraqitur nga kjo parti në Parlament. "Kryetarja e Parlamentit u kujdes që seanca e djeshme të mos jepet drejtpërdrejt nga televizionet, kur më në fund u vendos në rendin e ditës, pas gati një viti peripecish, projektligji që ne përgatitëm së bashku me ju, me Sindikatën e Pensionistëve dhe ekspertë të tjerë", u shpreh Meta. Sipas tij, "ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë, jo vetëm sepse ligji nuk u miratua, por edhe për faktin se u bë çdo gjë që diskutimi të censurohej, sepse qeveria nuk kishte asnjë argument për ta rrëzuar, apo për të mos e miratuar atë projektligj". Meta u shpreh se çdo vlerësim nga ju dhe nga të gjithë përfaqësuesit e moshës suaj, në debatet e zhvilluara dje, në rast se do të transmetoheshin drejtpërdrejt, do të ishte vërtet një demaskim për atë hipokrizi, të gjoja politikave sociale të kësaj qeverie dhe të kujdesit të saj për moshën e tretë. "Kryeministri duhej të ishte më solidar me secilin prej jush, sepse Kryeministri sot është në prag të moshës për pension, apo jo? Po pse ai nuk është i interesuar që të rritet pensioni dhe të garantohen shërbimet e tjera? Sepse Sali Berishës, pensionin ia garanton Fazlliçi, ndërsa ju nuk keni Fazlliçë, sikurse dhe ata 380 mijë bashkëmoshatarët, apo kolegët tuaj në të gjithë Shqipërinë", nënvizoi Meta. Kryetari i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica, u shpreh se, "sindikata ka 83 mijë anëtarë. Unë shpreh kënaqësinë që zoti Ilir e paraqiti p/ligjin në Kuvend, por në të njëjtën kohë më vjen dhe shumë rëndë dhe është faqja e zezë e atyre parlamentarëve që kanë vepruar në këtë mënyrë për moshën e tretë. Jam ekonomist dhe i bëj llogaritë mirë, në të gjitha drejtimet". Sipas tij, 70 për qind e pasurisë kombëtare, që është gati 36 miliardë dollarë, është kontributi i atij brezi që ka filluar punën në ‘44-ën dhe e ka lënë punën në ‘94-ën. "Me këto masa që u morën tani dhe me rritjen e pensionit që u bë në korrik, 10 për qind për qytetin dhe 20 për qind për fshatin, po ju them që tani në 2009-ën, një pensionist i fshatit merr 2 pensione e gjysmë më pak sesa ka marrë në 2007-ën, kurse në qytet merr 1.6 pension më pak se sa ka marrë në 2006-ën", theksoi Gorica.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›