E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, rrethrrotullime në vend të semaforëve

14/09/2009  Shkon dëm investimi në miliona për vendosjen e sinjalistikës

Semaforët në qytetin e Shkodrës tashmë mund të konsiderohen me plot gojën të dalë mode pa u vënë asnjëherë në punë. Vit pas viti premtohej dhe pritej se semaforët e vendosur sipas një projekti para 9 vjetve do të viheshin në funksion të një qarkullimi sa më të mirë, por tashmë specialistët e Bashkisë kanë ndryshuar mendim. Fillimisht specialistët e Bashkisë së Shkodrës theksuan se investimet, që sollën dhe disa ndryshime në infrastrukturën rrugore të qytetit, sollën nevojën e rishikimit të vendit ku duhet të vendoseshin semaforët. Po ndërsa pritej projekti i rivendosjes së tyre në kryqëzimet e duhura, specialistët nxorën një variant të ri të ndërhyrjes së sinjalistikës. Sipas tyre, në disa vende duheshin vendosur semaforët, ndërsa në disa kryqëzime duhej të ndërtoheshin rrethrrotullime. Ende pa shuar jehona e kësaj ideje, specialistët nxorën një variant tjetër, që me sa duket është dhe përfundimtari. Sipas këtij varianti, në qytetin e Shkodrës nuk do të ketë semaforë, por vetëm rrethrrotullime, çka do të thotë se investimi i para 9 vjetve prej rreth 15 milionë lekë ka shkuar përfundimisht dëm. Aktualisht sinjalistika vertikale e semaforëve po zëvendësohet plotësisht me rrethrrotullime. Kjo ndërhyrje po bëhet sipas një projekti të specialistëve të Bashkisë së Shkodrës për krijimin e një infrastrukture rrugore bashkëkohore në qytetin më të madh verior. Specialistët e kësaj bashkie theksojnë se projekti parashikon riorganizimin e sinjalistikës rrugore në përgjithësi, ku përveç rrethrrotullimeve përfundimi i ndërtimit të unazës së qytetit do të zgjidhë një herë e mirë problemin e qarkullimit rrugor. Për sa u përket rrethrrotullimeve, Bashkia e Shkodrës ka dhënë një fond prej 6 milionë lekësh. Në bazë të projektit, janë ndërtuar rrethrrotullime në pikat kryesore të qarkullimit: në Xhabije, në Parrucë, te kryqëzimi në Rus, pranë bibliotekës së Universitetit të Shkodrës, tek “Truma e Dugajve të reja”, në fund të pedonales dhe te kryqëzimi i ish-degës së brendshme. Ndërkohë specialistët e Bashkisë vazhdojnë të studiojnë terrenin se ku mund të ketë nevojë për rrethrrotullime të tjera. Sipas specialistëve të kësaj bashkie, kjo metodë e mënjanimit të problemeve në qarkullimin rrugor është marrë nga vendet e zhvilluara evropiane.

V. Abdyli

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›