E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, rriten 600 lekë taksat vendore

06/01/2009  Sipas bashkiakëve, kostoja e shërbimeve është e lartë. Përjashtohen kategoritë në nevojë

SHKODER- Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar propozimin e Bashkisë për rritjen e taksave të qytetarëve për vitin 2009. Sipas drejtuesve të Bashkisë së Shkodrës, kjo rritje taksash u kërkua nisur nga fakti se ato të një viti më parë ishin shumë të ulëta sesa vlera reale e shpenzimeve të kësaj njësie vendore për qytetarët e saj.

Rritja

Për vitin 2008 taksa që qytetarët i paguanin Bashkisë së Shkodrës ishte 1700 lekë të reja. Për vitin 2009 taksat kapin shumën e 2300 lekëve, çka do të thotë se taksat në total rriten në me 600 lekë të reja. Në taksën e bashkisë përfshihet taksa e pastrimit, e gjelbërimit dhe e ndriçimit. Rritje të madhe për 2009-n ka pësuar taksa e pastrimit. Rritja e taksave është bërë zë për zë për të gjitha shërbimet publike të Bashkisë në favor të qytetarit. Kështu gjatë vitit 2008 taksa e pastrimit ishte 1100 lekë, ndërsa për vitin 2009 kjo taksë është bërë 1500. Pavarësisht kësaj rritjeje drejtuesit e zyrës së taksave të bashkisë shprehen se përsëri shifra e kërkuar e miratuar është nën koston reale që shpenzohet për pastrimin e qytetit, pasi llogaritjet flasin për një vlerë prej 2600 lekësh të reja. Ndërkohë taksa e ndriçimit nga 300 lekë që ishte në vitin 2008, për vitin 2009 ka shkuar në 500 lekë. Nuk ndryshon vetëm taksa e gjelbërimit që është 300 lekë. Këshilli Bashkiak ka miratuar dhe përjashtimin nga pagesa e vlerës së plotë të këtyre taksave të rreth 9 mijë familjeve në nevojë, që kanë në gjirin e tyre kryefamiljarë invalidë, tetraplegjikë, paraplegjikë, pensionistë me fëmijë nën 18 vjeç në ngarkim. Kjo kategori familjesh do të paguajë vetëm shumën 900 lekë si taksë ndaj shërbimeve që ofron Bashkia Shkodër. Drejtuesit e zyrës së taksave të Bashkisë së Shkodrës argumentuan para Këshillit Bashkiak arsyet e rritjes së taksës së pastrimit të qytetit. Sipas llogaritjeve të tyre, rritja e taksës së pastrimit është bërë pasi është shtuar sipërfaqja e rrugëve të asfaltuara, është rritur distanca për në venddepozitim të mbeturinave, është rritur cilësia e shërbimit, si dhe është futur dhe taksa e landfildidit që duhet paguar nga Bashkia Shkodër. E reja e sistemit të mbledhjes së taksave nga zyra përkatëse e Bashkisë së Shkodrës është krijimi i kartelave ku do të shënohen të gjitha pagesat e familjeve për taksat e vendosura. Duke pasur këtë kartelë qytetari ka të drejtën e plotë për të kërkuar të gjitha shërbimet e Bashkisë nda tij si taksapagues i rregullt.

Taksat total

Ishin 1700 lekë

Rriten 2300 lekë

Taksa e pastrimit

Ishte 1100 lekë

Rritet 1500 lekë

Taksa e ndriçimit

Ishte 300 lekë

Bëhet 500 lekë

Taksa e gjelbërimit

Nuk ndryshon

Familjet vunerable

Vetëm 900 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›