E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mos mbaj zi për mua, vetëm lutu Zotit”

06/01/2009  Vetëhelmohet 16-vjeçarja, i lë letër nënës së saj. Nuk dihen shkaqet e aktit

SHKODER- Një minorene nga fshatrat e Shkodrës i ka dhënë fund jetës me anë të vetëhelmimit. Ngjarja ka ndodhur brenda banesës së një familjeje të fshatit Hot i Ri, të komunës Rrethina të rrethit Shkodër. Sipas policisë, ende nuk janë gjetur shkaqet e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që viktima një vajzë 16-vjeçare me inicialet S. B., para vdekjes i ka lënë një letër nënës së saj me anë të së cilës i kërkonte që të mos mbanin zi për të, por vetëm t’i luteshin shumë e gjithmonë Zotit. Informacionet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se minorenia ishte gjetur nga familjarët në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të veprimit që kishte kryer. Kanë qenë familjarët ata që e kanë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës, ku pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, shtetasja S. B., ka ndërruar jetë pas një ore. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 16-vjeçarja kishte pirë helm shumë të fortë ndaj vdekja e saj ka qenë e pashmangshme. Ndërkohë veprimet hetimore e procedurale të kryera nga policia kanë nxjerrë se minorenia nuk vuante nga ndonjë sëmundje apo depresion dhe në kohën e kryerjes se aktit, për t’i dhënë fund jetës, nuk ka patur asnjë pjesëtar të familjes në banesë, ndërsa hetimet vazhdojnë.

V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›