Shkodër, spitali i psikiatrisë, së shpejti në magazinë
>Spitali Rajonal i Shkodrës do të ketë një godinë të re për Psikiatrinë. Ndërtimi i kësaj të fundit do të nisë gjatë fazës së tretë të rikonstruksionit. Ndërkaq, godina ekzistuese e psikiatrisë do të shndërrohet në magazinë. Drejtori i spitalit, Namik Kamberi është shprehur se kushtet që jep godina e Spitalit Psikiatrik nuk janë komode për rikonstruksion dhe në këtë mënyrë është vendosur ndërtimi i një godine të re 4 katëshe, e cila do ti shtohet kompleksit të godinave të këtij spitali.
Projektin e ndërtimit të një godine të re në vend të asaj aktuale, Kamberi ia ka atribuuar studiuesve dhe specialistëve gjermanë, të cilët kanë konstatuar se ajo ekzistuese nuk është funksionale. Për të gjithë ndërtesën e madhe të psikiatrikut, Kamberi ka bërë të ditur se do të përdoret si një mjedis rezervë dhe mund të shndërrohet në një magazinë për Spitalin Rajonal të Shkodrës. Por gjithashtu mësohet se në këtë ndërtesë, e fundit e bërë në kohën e diktaturës, do të ndërtohet një kuzhinë për spitalin rajonal. Kështu, ndërtesa 6 katëshe e psikiatrisë së Shkodrës e konsideruar më modernia e asaj kohe, tani do të jetë vetëm një aneks i vogël dhe magazinë e spitalit të madh.