E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, luhatja e tensionit djeg elektroshpëtiaket e banesave

>Berat, Një luhatje e tensionit të lartë dyshohet të jetë bërë shkak i rënies së një zjarri në një fshat të rrethit të Beratit. Masa e krijuar në orenditë elektroshtëpiake ka shkaktuar rënien e zjarrit, ndërkohë që djegie të pajisjeve janë shkaktuar në banesat e fshatit Vodicë të këtij rrethi. Zjarri mësohet të ketë rënë rreth orës 14:00 të mesditës së djeshme, teksa një luhatje e tensionit ka shkaktuar flakë në banesën e Fadil Çelës. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima, pasi familjarët kanë qenë jashtë banesës në kohën që një prej dhomave të shtëpisë është përfshirë nga tymi. Kanë qenë vetë banorët, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë duke thyer xhamat e dritareve nga ku kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit që kishte përfshirë një prej dhomave të banesës. Fillimisht nga zjarri ishte përfshirë televizori dhe më pas gjithë orenditë e dhomës, por fatmirësisht pa prekur gjithë banesën. Për rënien e zjarrit është njoftuar dhe Reparti i Zjarrfikëseve në qytetin e Beratit, por mbërritja e punonjësve zjarrfikës ka gjetur të lokalizuara flakët e zjarrit. Nga deklarimi i familjarëve është mësuar se në çastin e rënies së zjarrit askush nga familjarët nuk ndodhej në banesë, ndërkohë që tymi dhe flakët kanë tërhequr vëmendjen e tyre, ndërsa ndodheshin duke punuar jashtë shtëpisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›