E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, tre plagosje brenda 24 orësh

Dy prej plagosjeve kanë ndodhur gjatë natës si pasojë e sherreve. Plagosja e tretë, aksidentale


SHKODËR- Tre plagosje të ndryshme kanë ndodhur në mbrëmjen e së premtes dhe paraditen e së shtunës në Shkodër. Jetmir Kraja, 20 vjeç, është plagosur me armë zjarri pistoletë në afërsi të lulishtes pranë Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.15 ku i dëmtuari është grindur në një lokal me disa persona të tjerë. Sipas deklarimeve të siguruara nga policia, grindja e tyre ka qenë e çastit dhe ka vazhduar jashtë lokalit në lulishte. Aty tre persona mësohet se janë rrahur me njëri-tjetrin, dhe më pas Jetmir Kraja është qëlluar me pistoletë duke u plagosur në këmbë. Ai është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën , ndërsa në mesnatë, rreth orës 02.00 të ditës së shtunë, policia ka prangosur njërin prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasin Gentian Mithi, 32 vjeç. Plagosja tjetër ka ndodhur rreth orës 22 në lagjen "Daniel Matlia", në afërsi të ish- fabrikës së Mëndafshit në Shkodër. Flamur Kalvari, 26 vjeç, është goditur me thikë dhe ka marrë dëmtime të rënda, ndërsa nuk dihet akoma motivi i kësaj ngjarjeje. I dëmtuari është dërguar në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë. Sipas policisë, autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është 20- vjeçari Elson Vukatana, i cili është shpallur në kërkim. Ndërsa rreth orës 12 të së shtunës, në fshatin Shkjezë të Shkodrës është plagosur aksidentalisht me armë gjahu çifte, Hamit Rifat Zagani, 60 vjeç. Autori i plagosjes është një kushëri i tij, i cili ka qenë duke qëlluar me armë gjahu një qen rruge por aksidentalisht ka qëlluar dorën e kushëririt.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›