Kruje; Vetëvaret në burg 40-vjeçari Paskali, i dënuar për vrasjen e vëllait
Vetëvaret në qelinë e izolimit i dënuari Artan Paskali. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesnatës, ndërkohë që u gjet nga gardianët e burgut në orët e para të mëngjesit. Sipas drejtuesve të burgut të Krujës, 40-vjeçari u gjend i varur me çarçaf. Nga hetimet paraprake të policisë që mbërriti menjëherë në ambientet e burgut, dyshohet për një akt vetëvrasës, ndërkohë që të afërmit pretendojnë se i afërmi i tyre nuk është vetëflijuar. Burime zyrtare bëjnë të ditur se 40-vjeçari Paskali nga Bubullima e Lushnjes gjendej në burg për veprën penale të vrasjes, pasi 12 vjet më parë, konkretisht në vitin 1997, pas një grindjeje me vëllanë e tij, e ka vrarë atë. Sipas të afërmve, Artan Paskalit i kishin mbetur edhe dy vjet burg për të vuajtur. Ndërkohë që policia dyshon për vetëvarje dhe se mund të ketë ndodhur në kushtet e rënda të depresionit. Janë marrë në pyetje edhe policët që kanë punuar në turnin e natës në qelitë e izolimit, për të mësuar më shumë detaje rreth ngjarjes së rëndë. Sipas burimeve zyrtare nga burgjet, i dënuari vuante nga çrregullimet mendore, ndërkohë që kohës së burgut për të po i vinte fundi.