Pango, prokuroria analizon kasetat
Prokuroria iu ka kërkuar eskpertëve të verifikojnë nëse ka montime, apo prerje të pamjeve filmike të sekuestruara
Kasetat filmike të Pangos dërgohen për ekspertim
Hetuesit pritet të marrin në pyetje pas intepretimit të ekspertëve, Pangon drejtuesit e emisionit dhe dëshmitarë të tjerë
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme i dorëzoi paraditen e djeshme ekspertëve audio-vizive materialet filmike dhe zanore bruto marra nga emisioni "Fiks-Fare", për të kryer verifikimet e vërtetësisë së materialeve dhe zbardhjen e dushimeve për ndonjë montazh të mundshëm të tyre.
Përfaqësuesit e institucionit të akuzës, pas sekuestrimit të të gjitha materialeve filmike dhe zanore të emisionit invesigativo- statirik "Fiks-Fare", ia kanë dorëzuar ato inxhinierëve të zërit dhe montazhit për verifikim.
Nga pamja e tyre duket se ish-Ministri i Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango i kërkonte favore intime një vajze kundrejt gjetjes së një vendi pune.
Sipas burimeve zyrtare pranë organit qendror të akuzës, thuhet se prokuroria i ka kërkuar ekspertëve përpilimin e një akt-ekspertize të detajuar në lidhje me dyshimet e ngritura nga vetë ish-ministri Pango në një emision televiziv se pamjet e transmetuara ishin një montazh i kryer ndaj tij.
Gjithashtu, është kërkuar që të shihet me kujdes edhe mundësia e ndonjë ndërhyrjeje, heqjeje apo fshirjeje e materialit të filmuar nga kasetat bruto që emisioni "Fiks-Fare" i ka dorëzuar hetuesve të dosjes.
Pas këtij veprimi hetimor, prokuroria konfirmon se do të merren në pyetje të gjithë protagonistët e kësaj ngjarjeje, që nga drejtuesit e emisionit televiziv që transmetoi pamjet, gazetarja, vajza që mendohet se është ankuar tek drejtuesit e emisionit, e deri tek vetë ish-Ministri që tashmë mban vetëm funksionin e Deputetit të PD-së në Kuvendin e Shqipërisë.
Pango, u shkarkua nga kryeministri Sali Berisha menjëherë pas transmetimit të këtyre pamjeve filmike, ku i kërkonte favore seksuale një vajze për vendin e punës.
"Pas mbarimit të akt-ekspertimit të materialeve filmike dhe zanore të kasetave që janë sekuestruar në emisionin "Fiks-Fare", do kryhen një sërë verifikimesh të tjera, duke i marrë në pyetje në cilësinë e deklaruesve të gjithë të personat e përfshirë në këtë skandal, duke mos përjashtuar edhe vetë ish-Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, dhe gazetares që me ftesë të deputetit përfundoi në shtëpinë e këtij të fundit",-thuhet nga burimet.
Gjithashtu, këto burime saktësuan se nëse nga akt-ekspertimi i pamjeve filmike rezulton se nuk ka asnjë prerje apo shkëputje të filmit, do të verifikohet edhe mundësia e ndonjë provokimi të mundshëm nga vetë gazetarja.
Por, pavarësisht kësaj, prokuroria thekson se ish-ministri Pango duket qartë se me veprimet dhe mos veprimet e tij ka konsumuar minimalisht elementë të tre veprave penale.
"Nëse pamjet e transmetuara rezultojnë të jenë të vërteta dhe të pa censuruara apo montuara, për ish-ministrin Ylli Pango do të kërkohet heqja e imunitetit për hetimin e tij për kryerjen e tre veprave penale.
Atë të "Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën" të mbetur në tentativë të parashikuar në Nenin 105 të Kodit Penal, akuzën e "Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë" të parashikuar në Nenin 245 të Kodit Penal dhe akuzën e "Shpërdorimit të detyrës" të parashikuara nga Neni 248 i Kodit Penal në fuqi"-thanë burimet e prokurorisë.
Nga parashikimi i këtyre neneve që mendohet se ish-ministri Pango i ka konsumuar, nëse rezulton fajtor për këto tre vepra penale, ai rrezikon dënimin me gjobë nga 300 mijë lekë deri në 1 milion lekë të reja dhe deri në 7 vjet burg.
Prokurorja Leka do të hetojë çështjen
Paraditen e djeshme Drejtori i Hetimit dhe Ndjekjes Penale pranë Prokurorisë së Përgjithshme, prokurori Sokol Stojani, ka ngarkuar prokuroren Anila Leka për hetimin e këtij skandali seksual të deputetit Pango.
Ajo pritet të kryejë edhe verifikimet paraprake deri sa të vendoset nëse do të regjistrohet procedimi penal në lidhje me këtë rast. Prokurorja Leka, disa muaj më parë pas tërheqjes së kallëzimit penal të gazetarit Besar Likmeta i cili u godit nga deputeti Tom Doshi, e mbylli dosjen hetimore duke pushuar hetimin edhe për "përdorim të dokumenteve të falsifikuara".
Po kjo prokurore, pak muaj më parë i kërkoi Kuvendit t'i heqë imunitetin deputetit Andis Harasani, për zënkat e tij me punonjësit e Gardës, kërkesë e cila siç duket është arkivuar pranë zyrave të kryetares Jozefina Topalli.
Veprat penale të shkelura sipas neneve të Kodit Penal
Neni 105
Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën
"Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar marrëdhëniet e varësisë ose të detyrës, e mbetur në tentativë dënohet me burgim gjer në tre vjet".
Neni 245
Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.
"Premtimi, propozimi ose dhënia drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga 1-5 vjet dhe me gjobë nga 500.000 - 2.000.000 lekë".
Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
"Kryerja ose mos kryeja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300.000 - 1.000.000 lekë".