E Diel, 1 Nëntor 2026

Vernon Coaker; Shqipëria, partnere në luftën ndaj krimit të organizuar

Britania e Madhe e konsideron Shqipërinë si partnere në luftën ndaj krimit të organizuar. Ministri i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Policinë, Krimin dhe Sigurinë, Vernon Coaker, në një letër të dërguar ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, vlerëson nivelet e bashkëpunimit dypalësh në disa fusha e çështje të caktuara. “Ne e vlerësojmë Shqipërinë si partnere në luftën kundër krimit të organizuar, siç parashikohet edhe në angazhimet e nivelit të lartë të SOCA-s (Agjencia Kundër Krimit të Organizuar). Jam mirënjohës për mbështetjen tuaj të vazhdueshme lidhur me investimet dhe financimet e Mbretërisë së Bashkuar për Policinë e Shtetit shqiptar”, -thuhet në letrën e Coaker. Sipas tij, “Mbretëria e Bashkuar i kushton një rëndësi të veçantë suksesit të PAMECA III dhe autoritetet shqiptare kanë treguar se japin një siguri të plotë për një nisje të shkëlqyer të projektit”. Sipas ministrit britanik, “është e qartë se vazhdon një bashkëpunim i shkëlqyer mes agjencive të zbatimit të ligjit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë”. Në letër, ministri britanik përforcon angazhimin e plotë për bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve. “Dëshiroj të theksoj edhe njëherë mbështetjen time dhe të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e zbatimit të ligjit në Shqipëri, në luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar që prek të dyja vendet tona”, - shprehet ministri Coaker në mbyllje të letrës së tij për ministrin e Brendshëm të vendit. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri në muajin shkurt, ministri i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Policinë, Krimin dhe Sigurinë u prit në takime të veçanta nga ministri Nishani dhe nga autoritetet më të larta të vendit tonë. Ministri Coaker, gjatë vizitës në Shqipëri, mori pjesë si i ftuar i veçantë edhe në Takimin e Bordit të Palëve të Interesuara në kuadër të Misionit të Asistencës Policore të Bashkimit Evropian në vendin tonë PAMECA III. Gjithashtu, nga takimi midis dy homologëve u diskutua për të shumëkërkuarit që gjenden në territorin britanik dhe për përshpejtimin e procedurave për ekstradimin e tyre në vendin tonë, për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›