E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa; Hesht para gjykatës, “arrest me burg” për Sokol Ngjeçin



Nuk ka pranuar të flasë para gjyqtarit, duke mos dhënë asnjë deklarim lidhur me akuzën e rëndë për të cilën akuzohet. Seanca ka zgjatur vetëm 15 minuta, aq sa gjyqtari Asim Vokshi të vlerësonte kushtet e zbatimit të masës së sigurisë për të pandehurin Sokol Ngjeçi. Paraditen e djeshme, Gjykata e Tiranës vleftësoi masën e sigurisë “arrest me burg” për inspektorin e Ushtrisë, Sokol Ngjeçi, i arrestuar tri ditë më parë. Akuzat që rëndojnë mbi të janë ato të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, më shumë se një herë dhe kundër dy ose më shumë personave" në bashkëpunim dhe "shpërdorimit të detyrës ushtarake". Organi i akuzës është përfaqësuar në gjykatë nga prokurori Arben Dollapi, i cili masën “arrest me burg” e ka marrë në mungesë për këtë shtetas. Ngjeçi është personi i katërt i arrestuar për tragjedinë që mori jetën e 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë. Ai ka qenë në funksionin e mbikëqyrësit të ndërmarrjes MEICO dhe nëpërmjet tij kalonin gjithë dokumentet zyrtare apo jozyrtare. Sipas prokurorisë, arrestimi i tij erdhi pasi u konstatua se nuk ka zbatuar detyrën e ngarkuar nga ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, për inspektimin e punimeve të demontimit të municioneve në punishten e Gërdecit. “I pandehuri Sokol Ngjeçi ishte i ngarkuar nga ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, për të inspektuar kushtet e punës së demontimit dhe kushtet e ruajtjes së lëndëve plasëse të ardhura nga demontimi i municioneve të lehta dhe të rënda. Por, nga hetimi 12-mujor ka rezultuar se i pandehuri Ngjeçi, jo vetëm që nuk ka inspektuar punimet në këtë repart, por edhe nuk ka raportuar asnjëherë se çfarë po bëhej në këtë punishte, duke u bërë një nga shkaqet e pasojës së ardhur më pas, duke shpërthyer i gjithë baruti i mbledhur aty, që solli vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve", - thanë burimet nga organi qendror i akuzës.

Somario

“I pandehuri Sokol Ngjeçi ishte i ngarkuar nga ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, për të inspektuar kushtet e punës së demontimit dhe kushtet e ruajtjes së lëndëve plasëse të ardhura nga demontimi i municioneve të lehta dhe të rënda”

“Nga hetimi 12-mujor ka rezultuar se i pandehuri Ngjeçi, jo vetëm që nuk ka inspektuar punimet në këtë repart, por edhe nuk ka raportuar asnjëherë se çfarë po bëhej në këtë punishte”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›