Tiranë; Rrihet nga xhaxhallarët, tenton të hidhet nga ura e Lanës
Një vajzë 19-vjeçare ka tentuar të vetëflijohet duke u hedhur nga ura e Lanës, pasi është rrahur nga xhaxhallarët e saj. Sipas burimeve nga policia, Flutura Ç. ka pasur një konflikt me të afërmit e saj, pasi këta të fundit e kishin parë atë me një djalë dhe e kishin qëlluar. Ata e kanë marrë atë në makinë, ku dhe e kanë rrahur. Pas këtij veprimi të kryer nga xhaxhallarët e saj, 19-vjeçarja që dyshohet të ketë qenë me probleme mendore, vendosi të hidhet nga ura. Dëshmitarët kanë parë të renë në një gjendje të rënduar nervore dhe me shenja në fytyrë. Vajza ka qenë brenda një makine ku gjendej një mashkull dhe pikërisht tek semafori pranë vendit të quajtur “Kopshti i 7 Xhuxhave”, kur semafori ka ndalur lëvizjen, ka dalë me shpejtësi nga makina dhe është sulur për nga ura e Lanës.
Sipas dëshmitarëve, në çastet që ajo tentoi të hidhej nga ura me qëllim vetëvrasjen, nga pas iu sulën disa persona si dhe një nga policët rrugorë që gjendej aty pranë. Ata arritën që të ndalin vajzën e re, duke e kthyer në trotuar, si dhe duke bërë përpjekje që ajo të qetësohej. Por, vajza arriti t’u shkëputet nga duart atyre dhe vrapoi sërish matanë urës. Aty ajo u hodh në Lanë, ku dhe më pas u nxor nga një person. Vajza është çuar në Spitalin Ushtarak, për të marrë ndihmën e parë, ndërsa xhaxhallarët e saj janë shoqëruar në polici, ku dhe janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.