E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, tritol lokalit të lojërave të fatit

Një sasi jo e madhe lënde plasëse është vendosur në një lokal lojërash fati në qytetin e Laçit të Vaut të Dejës. Ka qenë ora 01.00 e së dielës, ku nga persona të paidentifikuar është vendosur një sasi e vogël lënde plasëse tritol në lokalin e lojërave te fatit Apex, në pronesi te shtetasit  me iniciale B. A , 27  vjeç, banues në lagjen Partizani, të qytetit Shkodër.

Lokali ndodhet në qytetin e Laçit të Vaut të Dejës në Shkodër dhe  si rezultat i shpërthimit janë dëmtuar xhamat e një dritareje, dera e jashtme e lokalit dhe një grilë metalike.

Dëmtime në njerëz nuk ka pasur, pasi në atë moment lokali ka qenë i mbyllur. Mësohet se autorët kanë thyer xhamin e dritares dhe e kanë hedhur lëndën plasëse brenda.

Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Një nga pistat ku po hetohet nga policia është ajo e shkatërrimit të pronës me dashje, për shkak të konkurrencës. Ky është rasti i dytë në 10-ditëshin e fundit të janarit të këtij viti, ku në Shkodër vihet lëndë plasëse.

Më 21 janar u vendos lëndë plasëse në derën e jashtme të banesës së shtetasit Admir Tafili në qytetin e Shkodrës. Burime nga policia bëjnë të ditur se për të dy rastet po hetohet, por akoma nuk ka autorë të identifikuar.

Anila Dushi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›