E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, ujësjellësi u pret ujin debitorëve

19/08/2010 Ankohen banorët: Çmimi shumë i lartë

SHKODER- Vështirësitë financiare dhe numri i madh i abonentëve që nuk paguajnë faturat e ujit të pijshëm është bërë shkak i fillimit të aksioneve të Ndërmarrjes së Ujësjellësit Shkodër për të shkëputur lidhjen e tubacioneve të debitorëve. Aksioni i djeshëm është përqendruar tek pallatet parafabrikate në lagjen e vjetër “Dërgut” të Shkodrës, ku është ndërhyrë për ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm për 120 familje. Aksioni hasi në reagimin e banorëve, të cilët u shprehën se mospagesat kishin ardhur për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të ujit të pijshëm, çka e bënte të papërballueshëm për buxhetin e tyre të varfër, ndërkohë që dhe furnizimi me ujë nuk ka qenë gjithmonë optimal. Nga ana e tyre punonjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit Shkodër theksuan se e vetmja mundësi për rilidhjen e ujit është pagesa e faturave. Me të paguar faturat familjeve që u janë shkëputur tubacionet e ujësjellësit do u vihet në dispozicion hidrauliku për rilidhjen e tyre. Aksioni ishte paralajmëruar prej disa javësh nga drejtuesja e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, Sabahet Villa, e cila thekson se në ditët në vijim do të ndërhyhet edhe në lagjet e tjera të qytetit të Shkodrës. Sipas të dhënave të Ndërmarrjes së Ujësjellësit Shkodër numri i debitorëve është tepër i madh dhe përbën rreth 40% të abonentëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›