Shkodër, vazhdon tërheqja e ujit, normalizohet qarkullimi rrugor
Pas vështirësive të krijuara në zonën e Nënshkodrës me bllokime të herëpashershme, të dy akset rrugore që të çojnë drejt Malit të Zi për në pikat doganore të Murriqanit dhe Hanit të Hotit, janë të kalueshme.
Ura e Bunës, e cila deri pak ditë më parë ishte e përmbytur, është çliruar nga uji dhe është e kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve.
Qarkullimi është zhbllokuar edhe drejt pikës tjetër, asaj të Hanit të Hotit. Edhe këtu situata i është rikthyer normalitetit pas përmbytjes nga fryrja e liqenit të Shkodrës në zonën Vukë-Palaj.
Me rihapjen e këtyre rrugëve, në të dyja pikat e kalimit kufitar është shënuar edhe fluks udhëtarësh. Autoritet doganore flasin për 4610 persona të huaj dhe rreth 2206 shqiptarë që kanë kaluar vetëm nga Muriqani.