“Festat e fundvitit, furnizim pa ndërprerje me energji elektrike”

Zëvendësministri i Energjetikës, Sokol Dervishaj
Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Sokol Dervishaj, përmes një konference për shtyp deklaroi ditën e djeshme se gjatë festave të fund vitit në të gjithë vendin, furnizimi me energji elektrike do të jetë prej 24 orësh, për shkak se situata hidrike në vend paraqitet në kushte optimale. Zëvendësministri i METE-s Sokol Dervishaj garantoi qytetarët se janë marrë të gjitha masat për të furnizuar pa ndërprerje me energji elektrike.
Sipas tij të dyja kompanitë si KESH-i ashtu edhe OST-ja janë në gatishmëri të plotë për festat e fund vitit. Sokol Dervishaj, zëvendësministri i Ekonomisë bëri të ditur gjithashtu se gjatë vitit 2010 vendi ka pasur prodhimin më të lartë të energjisë, krahasuar me vitet e tjera. Duke bërë që ky vit të ketë qenë shumë i mbarë në këtë fushë. Ai komunikoi përmes mediave se “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka marrë të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që ky fundvit t’i gjej qytetarët me sa më shumë energji në banesat e tyre, të ketë sa më pak ndërprerje, apo të mos ketë fare ndërprerje të energjisë elektrike”.
Dervishaj theksoi po ashtu se të gjithë instancat dhe strukturat në varësi të kësaj ministrie janë në gatishmëri të plotë. Kanë hartuar planin e masave për përballimin e situatave që mund të krijohen gjatë festave të fundvitit, duke përfshirë KESH-in dhe OST-në, të cilat janë në gatishmëri dhe në funksionalitet të plotë, deklaroi më tej Dervishaj. Gjithashtu në këtë konferencë për shtyp Sokol Dervishaj, zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vuri në dukje problemat e qytetarëve duke u shprehur se të gjithë e kemi të qartë që situata nuk është ajo që të gjithë do të dëshironim të ishte. Ka problematika. Ka qytetarë që kanë mungesë energjie elektrike në shtëpitë e tyre. Ka komuna, ka fshatra, ka lagje në qytetet e Shqipërisë, të cilat po e përjetojnë mungesën e energjisë elektrike. Dervishaj kërkoi nga drejtuesit e CEZ-it apo Operatorit të Shpërndarjes një gatishmëri maksimale për festat e fundvitit.
Lidhur me furnizimin me energji elektrike dhe me problematikat që ekzistojnë zëvendësministri Dervishaj theksoi se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës po e monitoron këtë çështje me shumë vëmendje. Është në komunikim të vazhdueshëm me CEZ-in, të cilit i kërkojmë një gatishmëri maksimale, në kuadër të përmbushjes së detyrimeve kontraktore që ai ka, por edhe të kontratave që ka me qytetarët për furnizimin me energji elektrike. Gjithashtu, jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe me Entin Rregullator të Energjisë, si institucioni më i specializuar apo me përgjegjës në lidhje me monitorimin e kontratës dhe funksionalitetin e CEZ-it, shtoi me tej në fjalën e tij Dervishaj.
Në përfundim të fjalës së tij, Dervishaj garantoi se viti i ardhshëm do të jetë një vit i mbarë në sektorin e elektro-energjetikës në Shqipëri.
“Dua t’ju garantoj edhe njëherë se ky ka qenë një vit i mbarë për sektorin elektro-energjetik në Shqipëri. Shpresojmë dhe besojmë që me konstruktivitet dhe përkushtim edhe viti i ardhshëm do të jetë i tillë. Kemi pasur dhe momente vështirësie, sikurse ju të gjithë i dini. Ngjarjet e fillim vitit, por edhe ato të fundvitit, në rajonin e Shkodrës janë përballuar nga kjo Ministri me një angazhim maksimal, jo vetëm në kuadër të Komitetit të Emergjencave, por në funksionin e kësaj ministrie për administrimin që ajo ka si detyrë të saj, nëpërmjet KESH-it, të kaskadës së Drinit, por edhe të prodhimit dhe të transmetimit të energjisë elektrike për qytetarët, konsumatorët dhe për bizneset në vend”.