“Sulmet e Beogradit, pjesë e histerisë së racizmit të Dick Mart-it”

Kryeministri Berisha u përgjigjet akuzave serbe, me një deklarim zyrtar për agjencinë e lajmeve AFP
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka hedhur poshtë shkrimet e të përditshmes së Beogradit, “Politika”, për pjesëmarrjen në tregtinë me armë, gjatë luftës në Kosovë 1998/1999.
“Pretendimet e ‘Politikës’, që është zëdhënëse e ultranacionalizmit serb dhe avokate e gjenocidit serb në Bosnje dhe Kosovë, nuk janë asgjë tjetër, veçse shpifje raciste”, ka thënë Berisha për agjencinë e lajmeve AFP.
Gazeta “Politika” e Beogradit ka shkruar dje se “Berisha ka qenë një nga tregtarët kryesorë me armë në kohën e luftës në Kosovë, ndërsa shtëpia e tij në Tropojë ka qenë qendër për blerjen e armatimit”.
Siç pohon kjo gazetë, emri i Berishës përmendet nga katër dëshmitarë në dokumentet e Prokurorisë serbe për Krime të Luftës. Berisha, raportet e “Politikës” i ka lidhur me “histerinë antishqiptare të udhëhequr nga Dick Marty”, të cilin e ka quajtur “një racist, që pa asnjë provë, është duke u përpjekur të hedhë baltë në luftën e shqiptarëve të Kosovës”. “Forma, në të cilën janë bërë akuzat, vetëm mund të më nderojë”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për të shtuar se “shpifjet që ‘Politika’ e Beogradit dhe Dick Marty janë duke propaganduar sërish , dëshmojnë racizmin, verbërinë e tyre dhe zhgënjimin e madh të tyre me çlirimin e një populli”.
Në intervistën për AFP-në, kryeministri Berisha ka vënë në pah se Shqipëria “do të jetë e hapur për çfarëdo hetimi që ndërlidhet me luftën në Kosovë dhe rastet e tjera” nga ana e EULEX-it dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.