E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, vjelja e taksave në 50% familjeve, bashkia shtrëngon masat

Bashkia e Shkodrës do të ndryshojë sistemin e mbledhjes së taksës vendore për shkak se në këtë qytet arkëtohet vetëm gjysma e sasisë së saj. Burime brenda bashkisë bëjnë të ditur se tashmë ky institucion ka marrë masa teknike dhe organizative për të përmirësuar punën në mbledhjen e taksave. Gjithsesi nuk është vetëm kjo arsyeja që vetëm 55 për qind e familjeve paguajnë taksën e institucionit kryesorë vendor pasi ka dhe neglizhenca edhe në njerëzit, por edhe një tolerancë të pakuptimtë nga vetë institucioni bashkiak. Në këtë rast, një pjesë e popullsisë paguan dhe një pjesë jo, duke bërë kështu një diferencim të pajustifikuar. "Nisur nga ky fakt e me synim shtimin e arkëtimeve, bashkia po shikon mundësinë e organizimit të punës nëpërmjet funksionimit të departamentit të të ardhurave", pohuan drejtues të Bashkisë së Shkodër. Nënkryetari i bashkisë, Ridvan Trashani ka shtuar se së shpejti, departamenti i të ardhurave në Bashkinë e Shkodrës do të hapë një sportel të veçantë për taksat familjare. Grumbullimi i taksave vendore të familjeve të qytetit të Shkodrës ka qenë dhe është pika më e dobët e saj që nuk ka mbushur arkën e bashkisë. "Me kalimin e biznesit të vogël pranë njësive vendore, mungesa e ambienteve të nevojshme për të përballuar një punë të tillë, mungesa e personelit si dhe vëmendja dhe puna e këtij departamenti, ka qenë e përqendruar në krijimin e hartës së biznesit, me identifikimin e të gjitha bizneseve që operojnë në qytetin e Shkodrës dhe ndërtimin e një database të saktë të tij. Të gjitha këto kanë pasur ndikimet e veta në nivelin e ulët të numrit të familjeve që likuidojnë taksat vendore",  ka pohuar Trashani. Aktualisht, numri i familjeve që i ka shlyer detyrimet pranë Bashkisë së Shkodrës nuk i ka kaluar asnjëherë 19 mijë, në një kohë që numri total i familjeve shkodrane është 34 mijë. Në bazë të një llogaritje të përafërt, nga shmangia e taksave vendore, në arkën e bashkisë mungojnë çdo vit rreth 46 milionë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›