E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, vret për xhelozi gruan 18-vjeçare dhe arratiset

Një 23-vjeçar nga Shkodra, i dënuar më parë për kundërshtim të policisë, ka ekzekutuar me pistoletë të shoqen e më pas është larguar me motor nga konviktet ku ata banonin. Policia e shpall në kërkim

SHKODËR Një krim brenda familjes i ka marrë jetën një 18-vjeçareje në Shkodër. Ngjarja ndodhi mbrëmë, në orët e vona, kur Bedrije Haxhia është qëlluar për vdekje nga bashkëshorti i saj Eder Haxhija, 23 vjeç, pas një grindje për motive xhelozie. Ai akuzohet se e ka qëlluar me pistoletë gruan e tij, brenda në banesë, duke e lënë të vdekur, ndërsa është larguar me motoçikletë për t’u shpëtuar prangave.

Vrasja

Sipas burimeve zyrtare nga policia e Shkodrës, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.15 në ambientet e konviktit të shkollës së mesme industriale në Shkodër, ku prej shumë vitesh kanë gjetur strehë disa familje. Në katin e parë të këtij konvikti jetonte dhe familja Haxhija, e strehuar prej shumë vitesh, pasi babai i autorit të ngjarjes ishte jetim i rritur nëpër institucione. Sipas fqinjëve të çiftit, disa minuta para se të ndodhte krimi i rëndë, ka pasur një zënkë, pasi kanë dëgjuar të bërtiturat e tyre. “I kishim dëgjuar dhe herë tjetër që të ziheshin me njëri-tjetrin, por nuk kishim menduar se do të shkonte deri në këtë pikë”,- pohon njëri prej fqinjëve. Por, sipas tyre, pas disa minutash janë dëgjuar të shtënat e pistoletës. Kanë qenë pikërisht fqinjët, të cilët kanë lajmëruar fillimisht ambulancën dhe më pas uniformat blu të policisë së Shkodrës, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, por nuk ka mundur që të arrestonte autorin e ngjarjes. Ndërsa janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë 18-vjeçares Bedrie Haxhia, por duket se gjithçka ka qenë e kotë, pasi e reja kishte humbur jetën për shkak të plagëve që kishte marrë dhe sasisë së madhe të gjakut. Mësohet se çifti kishte grindje të shpeshta dhe motivi ishte xhelozia, ndërsa dhe situata ekonomike e tyre ishte e vështirë.

Autori

Policia e Shkodrës tashmë ka shpallur në kërkim 23-vjeçarin Haxhia, i cili është larguar fill pas vrasjes së bashkëshortes të tij. Eder Haxhia është një personazh i njohur për policinë e Shkodrës, pasi ka qenë më parë i dënuar. Lidhur me autorin e krimit, policia e Shkodrës ka pohuar se Eder Haxhia është dënuar nga gjykata e Shkodrës me 10 muaj burgim, duke u deklaruar fajtor për veprat penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje te armëve luftarake”, “kanosjes për shkak të detyrës “, mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë ”. Në muajin mars të vitit të kaluar, në lagjen “Skënderbej”, Eder Haxhia së bashku me një person tjetër po rrihnin një shtetas. Ata janë parë nga patrulla e policisë në shërbim që ka ndërhyrë dhe ndërsa kanë vrapuar të largohen, njëri prej policëve ka mundur të kapë Eder Haxhinë që kishte një pistoletë në dorë. Ky me dorën tjetër ka nxjerrë një tjetër pistoletë që ia ka vendosur policit pas veshit duke e kanosur, por ndërhyrja e policit tjetër ka sjellë neutralizimin e Eder Haxhisë në atë kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›