E Diel, 1 Nëntor 2026

ACR: jemi gati t’u përgjigjemi financiarisht minatorëve

Edhe ditën e djeshme ata kanë vazhduar grevën duke mos iu përgjigjur kërkesave të firmës për tu rikthyer në punë

BULQIZË Kanë vijuar dhe gjatë ditës së djeshme protesta e minatorëve të Bulqizës. Pasi kanë ndërprerë punën prej 2 muajsh, minatorët edhe dje janë mbledhur rreth orës 07:00 të paradites në protestë para ambienteve të firmës ACR. Edhe pse nuk ka shenja të arritjes së një marrëveshjeje zyrtare mes firmës dhe minatorëve, këta të fundit shprehen se nuk do të ndalen me protesta. Ndërkohë austriakët kanë bërë thirrje që minatorët të rikthehen në punë, sepse kushtet do të plotësohen.

Letra e ACR-së

ACR u ka bërë thirrje dhe ditën e djeshme minatorëve se do të zgjidhë situatën financiare në rast se kthehen në punë, ndërsa kanë akuzuar Kol Nikollajn, kreun e Konfederatës së Minatorëve, se është shkaku i vështirësimit të negociatave me punonjësit e Minierës së Bulqizës. “Kompania ACR fton minatorët të paraqiten pranë administratën së minierës së Bulqizës për të firmosur kontratat reja individuale të punës. Në këto kontrata përfshihet edhe rritja prej 20% e pagës, garancitë për përmirësimin e kushteve të punës dhe informimin e vazhdueshëm të planit të investimeve”, citon njoftimi për shtyp nga kompania austriake ACR. Përsa i përket kushteve të vështira financiare, ACR do t’i shpërndajë brenda javës minatorëve rrogën e 13-të si formë parapagimi.

Por austriakët pohojnë se shkak për vështirësitë e minatorëve është vetë personi Kol Nikollaj. “ACR dëshiron t’u vijë në ndihmë minatorëve për të përballuar vështirësitë në të cilat i kanë futur disa njerëz të papërgjegjshëm të udhëhequr nga Kol Nikolla”, thekson njoftimi për shtyp.

Protesta dje

Në 90 minuta mbledhje paraditen e djeshme, minatorët e Bulqizës vendosën të vijojnë protestat deri në rinisjen e punimeve nga Kuvendi. Minatorët do të vijojnë protestat e tyre çdo ditë nga ora 07:00 -15:00, deri të hënën, ditë kur pritet të zhvillohet edhe seanca e parë plenare e sesionit të ri parlamentar. Ky është vendimi i këshillit të Sindikatës së Minatorëve, i cili ka kërkuar gjithashtu që Kuvendi në seancën e parë duhet të diskutojë për situatën në Bulqizë dhe për kërkesat e minatorëve. Sipas minatorëve, nëse nuk do të ketë një reagim pozitiv nga Kuvendi ndaj kërkesave të tyre, atëherë ata do të nisin grevën e urisë. Ata mbeten të vendosur në kërkesat e tyre për investim në minierën e Bulqizës, rritje të pagës në nivelin 20-40%, si dhe përmirësim të kushteve të punës. Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Kol Nikollaj, u shpreh se plotësimi i kërkesave të minatorëve nga ACR do të njihej zyrtare vetëm nëse nënshkruhej në një marrëveshje zyrtare.

ACR i është drejtuar përsëri minatorëve të Bulqizës duke u bërë thirrje t’i kthehen punës, duke garantuar zgjidhje edhe për situatën e tyre të rënduar financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›