E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër,nën ujë 10.800 ha tokë, ende të izoluara komunat

SHKODER- Në ditën e 14-të të përmbytjeve uji në Shkodër vazhdon tërheqjen e tij duke nxjerrë në sipërfaqe objektet e përmbytura. Për një përmirësim të situatës mund të flitet për hyrjen e qytetit dhe lagjet Perash e Xhabije, ku niveli i ujit ka rënë, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për komunat e Nënshkodrës.

Komunat Bushat, Velipojë, Dajc dhe fshati Obot vazhdojnë të mbeten të izoluar nga uji. Në këto komuna niveli i ujit arrin deri në dy metra, ndonëse gjatë këtyre ditëve ka pasur rënie të nivelit të ujit. Në ditët e para të përmbytjes niveli i ujit arrinte deri në 4 metra

“E vetmja mënyrë për të transportuar ndihma në këto komuna mbeten helikopteri dhe varkat”- raporton korrespondentja e NEËS24 Eljona Kodra.

Mungesa e reshjeve të shiut në tre ditët e fundit dhe ulja e nivelit të liqenit të Shkodrës ka ndikuar në tërheqjen e ndjeshme të ujit në hyrje të qytetit, ku tashmë është i mundshëm kalimi dhe me mjete të vogla. Mbetet prezent uji në lagjet Perash dhe Xhabije.

Statistikat e fundit të raportuara nga Shtabi i Emergjencave raportojnë për 10 800 ha tokë nën ujë, nga 11. 440 ha tokë e raportuar dy ditë më parë. Gjatë 24 orëve të fundit ka vazhduar tërheqja e ujit dhe dalja e objekteve në sipërfaqe. Aktualisht, në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat janë nën ujë 1200 objekte, shumica e të cilave shtëpi banimi. Ulja e nivelit të ujit ka shtuar dhe numrin e qytetarëve që rikthehen në shtëpitë e tyre, të braktisura në ditën e parë të përmbytjes masive. Numri i të kthyerve në shtëpitë e tyre deri në orët e vona të ditës së djeshme ishte 3.335 persona.
SOT FIRMOSET MEMORANDUMI ME MALIN E ZI
Ministria e Mjedisit pritet të nënshkruajë sot një memorandum bashkëpunimi me Malin e Zi për thellimin e Bunës. Memorandumi synon pastrimin e shtratit dhe largimin e të gjitha pengesave artificiale si: mbeturinave të urave të shkatërruara, anijeve të mbytura, mbetjeve nga drunjtë etj. Pastrimin e shtratit rreth urave ekzistuese për të parandaluar ngadalësimin e rrjedhshmërisë përgjatë lumit të Bunës; thellimin, zgjerimin (ku është e mundur) dhe rehabilitimin e shtratit të lumit të Bunës; pastrimin e grykëderdhjes së lumit të Bunës në det; rishqyrtimin e kuotave të argjinaturës.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›