E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti mbledh këshillin bashkiak të Patosit, por nuk zgjidh krizën

Konflikti
Mbledhja nuk u zhvillua dot në sallën e këshillit, pavarësisht ndërhyrjes së policisë

Prefekti i Qarkut të Fierit, Bujar Hasaj, ka arritur të mbledhë dje Këshillin Bashkiak të Patosit, ndërsa Gjykata e Fierit ende nuk ka marrë vendim për padinë e ngritur nga kryetari i këshillit ende në detyrë, Maksim Goga. Në orën 09.00 të mëngjesit të djeshëm, prefekti dhe disa drejtues të LSI-së së Fierit i janë afruar bashkisë së qytetit të Patosit. Fillimisht prefekti që kryesonte këshilltarët e PD-së, LSI-së dhe PDI-së ka hasur pengesë për të zhvilluar mbledhjen në sallën e këshillit bashkiak. Një çadër e ngritur për mbledhjen e ndihmave për Shkodrën, si edhe qindra banor të qytetit të Patosit të sensibilizuar për këtë ngjarje nuk kanë lejuar të hyjë asnjë këshilltar, madje as prefektin. Ky i fundit ka kërkuar praninë e policisë së rendit, e cila është afruar, por nuk kanë ndërhyrë asnjë moment.
Pas pritjes për më shumë se 40 minuta është zhvilluar një takim mes prefektit dhe kryetarit të bashkisë, Bardhi Meli, i cili jo vetëm që i ka bërë të qartë prefektit se ndërhyrja e tij është antiligjore, por i ka thënë ballë për ballë se do ta padisë për këto veprime arbitrare. Pas takimit të tensionuar, mbledhja e mazhorancës së re të këshillit të drejtuar nga prefekti i Fierit është zhvilluar në katin e tretë të godinës së bashkisë dhe jo në sallën e mbledhjeve. Reagimi i qytetarëve të Patosit ka qenë i menjëhershëm. Shumë prej tyre kanë hedhur parulla kundër prefektit dhe këshilltarëve të djathtë. Ndërkohë, në Gjykatën e Fierit dje është zhvilluar seanca gjyqësore e radhës për padinë e ngritur nga kryetari i këshillit, Maksim Goga.
Burimet zyrtare të Gjykatës së Fierit pohojnë për “Shqip” se më datën 14 janar nuk është marrë asnjë vendim lidhur me padinë e ngritur nga kryetari i këshillit. Zyrtarisht burime nga gjykata kanë thënë se seanca e radhës do të zhvillohet më 27 janar, ditë kur pritet të merret edhe vendimi. Pavarësisht kësaj ecurie në gjykatë, prefekti i Fierit ka mundur të mbledhë 13 nga këshilltarët e bashkisë. Në mbledhjen e drejtuar prej prefektit janë marrë edhe dy vendime. Një prej vendimeve ka qenë ai i pranimit të kontrollit në Bashkinë e Patosit, si edhe vendimi i dytë është marrë për një ndihmë financiare për Shkodrën.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›