E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatë-prokurori, thellohet "lufta e ftohtë"

Dy institucione kushtetuese dhe të pavarura nga ekzekutivi papritur vihen kundër njëra-tjetrës, megjithëse të dyja kanë një qëllim: luftë ndaj korrupsionit dhe bandave kriminale. Prej kohësh Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme janë në "luftë të ftohtë", pasi dhjetëra çështje penale të prokurorisë janë rrëzuar nga Gjykata e ashtuquajtur Supreme në Shqipëri. Askush dhe asnjëherë nuk ka treguar motivacionet e rrëzimit dhe lirimit të dhjetëra individëve kriminalë, megjithëse këta të fundit kanë një motiv për t‘ju gëzuar lirisë, pasi jemi në sezonin veror dhe të gjithë pushojnë, qofshin këta gjyqtarë dhe prokurorë, por tashmë edhe të pandehurit, ndonëse mbi shpinë kanë akuza të rënda. Asnjë institucion, qoftë ky Presidenca dhe Parlamenti, nuk mund të tregojë përse janë prishur disa çështje dhe disa individë janë liruar nga Gjykata Supreme në Shqipëri. Zyrtarisht nuk jepet asnjë e dhënë për këtë "drejtësi". Gjykata e Lartë mjaftohet duke thënë se "gjyqtarët flasin vetëm
publikisht kundër sistemit gjyqësor, megjithëse ‘logoja‘ me të cilën erdhi në pushtet qeveria aktuale në vitin 2005 ‘luftë kundër korrupsionit‘ është zbehur në maksimum këta muajt e fundit". E gjithë kjo situatë ka kulmuar me lirimin nga burgu të të akuzuarit për trafik droge Zaim Tafa tri ditë më parë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se do të vijojnë hetimet ndaj këtij të pandehuri, megjithëse personi në fjalë është liruar. Hetuesit e çështjes nuk kanë kurrfarë dijenie për lirimin e tij. Ata deklarojnë se hetimi ndaj pesë të ndaluarve gjatë operacionit "Kështjella" është bërë i plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë midis policisë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe si rezultat u arrit të sekuestrohej lënda prej 40 kilogramë heroine. "Akuza e trafikut të lëndëve narkotike ndaj të pandehurit Zaim Tafa është ngritur në bazë të vëzhgimeve dhe përgjimeve. Agjentët e policisë dhe prokurorisë kanë mbajtur nën vëzhgim të pesë personat e akuzuar, ku rolin kryesor për trafikun e 40 kilogramëve heroinë e kishte biznesmeni Zaim Tafa, pasi në ambientet e shtëpisë së tij është realizuar edhe mbushja e kamionçinës me lëndë narkotike. Për të gjitha këto episode i kemi paraqitur gjykatës leje për vëzhgime e përgjime dhe çdo fakt është i dokumentuar", thanë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilët kanë mbetur të befasuar nga lajmi i lirimit të Zaim Tafës. Tashmë hetimi në fjalë është i destinuar të dështojë, pasi të akuzuarit e tjerë do të kërkojnë lirim nga burgu, pasi kanë më pak akuza se Tafa.

"Antimafia"

Gjykata e Lartë bllokoi sekuestrimet

Ndryshimi i ligjit "Antimafia" ka bllokuar sekuestrot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Shkak është bërë ndryshimi i një dispozite në ligj nga Gjykata e Lartë në vitin 2007. Vendimi unifikues prek një pjesë të mirë të proceseve hetimore që ndodhen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Sipas tij, nëse një person është arrestuar për trafik droge në vitin 2007, verifikimi i pasurisë fillon pas atij momenti. Pra, sekuestrohet lënda narkotike dhe më pas kryhen të gjitha verifikimet e pasurisë. Prokurorët e interpretojnë vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë se ligji "Antimafie" i miratuar në vitin 2004 nuk mund të gjejë zbatim në një procedim penal të vitit 2000.

Precedentët

Dosjet e prishura nga Gjykata e Lartë

Disa javë më parë, Gjykata e Lartë ka vendosur që Lavdërim Tufa, i dënuar për vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur si Miri i Xhikes, do të gjykohet sërish. Trupi gjykues ka gjetur shkelje të shumta procedurale. Disa muaj më parë, Gjykata e Lartë i hoqi dënimin 13 vjet burg biznesmenit Rasim Shira të vendosur në pranga në një prej arrestimeve më të bujshme të viteve të fundit në Shqipëri. Ndërkohë që një klauzolë e diskutueshme ligjore i ka shërbyer Gjykatës së Lartë për të shumëzuar me zero procesin gjyqësor katërvjeçar ndaj të akuzuarit për trafik prostitucioni dhe pastrim parash Arjan Kane. Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim dosjen në ngarkim të Bardhyl Rustemit, të akuzuar për vrasje. Sipas Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Rustemi, për të cilin ka vendosur dy herë Gjykata për Krimet e Rënda, duhet të gjykohet nga "zero" nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›