E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra, e 3-ta për leje ndërtimi

29/06/2011  BB publikon raportin “Të bësh biznes 2011” për 22 qytete të Evropës Juglindore

Në rajon reduktohet 1 muaj koha mesatare për lejet e ndërtimit dhe regjistrimin e pronës

Qyteti i Shkodrës rezulton i treti në listë mes 22 qyteteve të rajonit, për procedurat e marrjes së lejeve të ndërtimit. Ndërsa qyteti i Tiranës renditet i fundit, për shkak të mungesës së praktikës. Të dhënat janë publikuar në një raport të ri të Korporatës Financiare Ndërkombëtare dhe Bankës Botërore. Raporti i prezantuar dje “Të bësh biznes në Evropën Juglindore 2011” thekson se reforma rregullatore e biznesit në Evropën Juglindore po u kursen sipërmarrësve vendas si kohën, ashtu edhe paratë. Ky është raporti i dytë i këtij lloji që analizon se sa lehtë është të bësh biznes në 22 qytete nga shtatë ekonomi: Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Moldavi, Malin e Zi dhe Serbi.

Rajoni

Në rajon kostoja mesatare për të nisur një biznes u ul nga 22 në 13% e të ardhurave mesatare për frymë. Koha mesatare që nevojitet për të përpunuar lejet e ndërtimit dhe për të regjistruar pronën është reduktuar me më shumë se një muaj. Më lehtë mund të marrësh lejet e ndërtimit në qytetin Niksic (Mali i Zi) dhe të transferosh pronën në Balti dhe Kishinau (Moldavi). Shkupi (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë) dhe Banja Luka (Bosnjë-Hercegovinë) kanë bërë progresin më të madh, duke realizuar reforma në fushën e biznesit në të katër fushat e vlerësuara. Nga ana tjetër është më e vështirë të nisësh një biznes në Prishtinë (Kosovë), të regjistrosh pronën në Mostar (Bosnjë-Hercegovinë) dhe të zbatosh një kontratë në Prizren (Kosovë). Marrja e lejeve të ndërtimit është më e vështirë në Beograd (Serbi).

Shqipëria

Regjistrimi i pronës mbetet problem në vendin tonë. Katër qytetet e Shqipërisë nuk kanë një renditje të mirë në këtë fushë, ndërsa Tirana lë pas vetëm qytete si Prishtina në Kosovë, Sarajeva në Bosnjë-Hercegovinë, Podgorica në Mal të Zi, Banja Luka dhe Mostar në Bosnjë-Hercegovinë. Numri i procedurave për regjistrimin e pasurisë në Tiranë është 6 dhe kohëzgjatje është 33 ditë. Po kaq e vështirë është edhe pika tjetër e analizuar, ajo e zbatimit të kontratave. Tirana sërish zë vendin e 18, me një numër prej 39 procedurash dhe kohëzgjatje 390 ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›