E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vit nga tragjedia në Gjirokastër, sot vendimi për fajtorët

Shembja e pallatit


GJIROKASTËR- Harrohet tragjedia e 9 nëntorit në Gjirokastër, ku një pallat 5-katësh u shemb në lagjen "11 Janari", duke shkaktuar 3 viktima të pafajshme, mes të cilëve edhe një vogëlushe 12-vjeçare.


Ndërkohë 14 familje mbetën të pastreha. Në 1-vjetorin e ngjarjes së paprecedentë, askush duket se nuk është kujtuar as për të vendosur një buqetë me lule në kujtim të viktimave. Ndërkohë, sot (e martë) drejtësia pritet të thotë fjalën e fundit për shtatë të akuzuarit për tragjedinë e ndodhur.


Shembja e pallatit 5- katësh në lagjen "11 janari" një vit më parë shokoi mbarë opinionin publik. 3 banorë të pallatit, ndërmjet të cilëve edhe një 12- vjeçare, humbën jetën në rrënoja, ndërsa 14 familje mbetën të pastreha.


Operacionet e kërkim-shpëtimit, ku u angazhuan edhe forca speciale të ardhura nga Greqia, zgjatën për tri ditë, deri në nxjerrjen e trupave të pajetë, ndërsa menjëherë pas ngjarjes krerët më të lartë të shtetit, duke filluar nga presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetari i opozitës, Edi Rama mbërritën në Gjirokastër dhe kërkuan dënimin maksimal për ata që shkaktuan këtë tragjedi të paprecedent, ndërsa banorët e pastrehë hynë në grevë urie deri në marrjen e dëmshpërblimit, çka do të bënte të mundur daljen e tyre nga situata e emergjencës.


E ndërsa ka kaluar plot një vit nga ngjarja, ka edhe banorë që ende nuk janë sistemuar në banesat e tyre. Sokrat Papadhopulli është njëri prej tyre, që kujton me dhembje ditën që i ndryshoi krejt realitetin. "Pasi përcolla time shoqe në autobus, Kristaqi më ftoi për një kafe. Por, kur u ktheva pas një ore, pallati ku jetoja prej vitesh ishte shembur", kujton atë ditë të vështirë Sokrati.


Dëmshpërblimin prej 3,6 milionë lekësh të përfituar nga qeveria shqiptare do ta përdorë për blerjen e një apartamenti. "Pas tragjedisë, drejtuesit e lartë pushtetit të qeverisjes vendore premtuan se do të më ndihmonin të siguroja një hyrje me çmim të arsyeshëm, por deri tani nuk është bërë asgjë", thotë Sokrati i zhgënjyer, duke nënvizuar se pjesa më e mirë e banorëve të prekur tashmë janë strehuar në objekte të tjera.


Dita e djeshme shënoi 1-vjetorin e kësaj ngjarjeje, por që në fakt nuk u kujtua nga askush. Asnjë drejtues apo përfaqësues i pushtetit vendor, por as qytetarë, nuk vendosën asnjë buqetë me lule në rrënojat e pallatit.


Në këtë mënyrë, ngjarja më e rëndë e ndodhur në Gjirokastër gjatë dekadave të fundit u kalua në harresë të plotë. Ndërkohë, rrënojat vazhdojnë të qëndrojnë aty, të palëvizura, si një dëshmi e gjallë e fatkeqësisë, ndërsa në këtë ditë gri me shiun që bie papushim, panorama është më e zymtë.


Sot Gjykata e Shkallës së parë në Gjirokastër do të japë vendimin për 7 të akuzuarit, për të cilët Prokuroria ka kërkuar në total 38 vjet heqje lirie. Sipas saj, shkak për shembjen e pallatit, ishte nisja e punimeve dhe me tej gërmimet për ndërtimin e një objekti. Këto punime, pa marrjen e masave përkatëse, shkatërruan themelet e pallatit, duke çuar në rrëzimin e tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›