E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla Inovatore e Vitit 2010

Konkursi

Gjimnazi “Ismail Qemali” fitues mes 10 shkollave më të mira në vend
Gjimnazi “Ismail Qemali” në Tiranë u shpall fitues i konkursit “Shkolla Inovatore e vitit 2010”. Projekti “Future School” (“Shkolla e së Ardhmes”), një bashkëpunim midis British Council dhe “Microsoft Partners in Learning”, u mbyll dje me ceremoninë e dhënies së çmimeve. Juria e përbërë nga specialistë të arsimit dhe “e-learning” vlerësoi propozimet nga 10 shkolla të ndryshme nga i gjithë vendi. Shkolla fituese u prezantua me propozimin “Uji”. E veçantë ishte mënyra e angazhimit të nxënësve në procesin e mësimdhënies jo më si pritës të njohurive, por si hulumtues, duke përdorur teknologjinë e re të komunikimit për të përvetësuar në kohë dhe saktë njohuritë e reja. Propozime të tjera përfshinin lehtësimin e komunikimit të prindërve me shkollën, për të qenë më afër progresit të fëmijëve të tyre, nëpërmjet komunikimit elektronik dhe aksesit virtual në dokumentacionin e shkollës, përfshirjen e komunitetit ose palëve të tjera të interesuara në zhvillimet brenda saj, si dhe ide mbi krijimin e shkollës ekologjike, ku përdorimi i teknologjisë vihet në funksion të mbrojtjes së ambientit. Ambasadorja britanike, e pranishme në këtë ceremoni, duke i dhënë çmimin e tretë shkollës “Raqi Qirinxhi” dhe “Fan Noli” nga Korça, tha: “Rritja e lidhjeve midis mësuesve dhe studentëve kudo në botë, u jep mundësi studentëve të punojnë me kurrikula të përbashkëta dhe të gjejnë zgjidhje të njëjta për problemet globale. U jep mësuesve një mundësi të ndajnë praktikat më të mira dhe të kenë mundësi zhvillimi. Teknologjia e mundëson këtë”.
Projekti “Future School”, i iniciuar në muajin nëntor 2009, u organizua në formën e një konkurrimi mes shkollave më të mira në Shqipëri, ku përmes një sërë aktivitetesh si “ëorkshop”-e, trajnime e takime, shkollat përpunuan dhe paraqitën propozime se si nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe të menduarit krijues mund të arrihen rezultate më të mira në mësimdhënie.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›