E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla “Servete Maçi”, MASH: Asnjë vendim për mbylljen

Ministria e Arsimit nuk ka marrë asnjë vendim për mbylljen e shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi”, pavarësisht parashikimit që ka bërë Drejtoria Arsimore e Tiranës, për ta shndërruar atë në gjimnaz. “Drejtoria e Arsimore planifikon mjediset, por ne nuk mbyllim shkolla, i hapim ato”, - ka deklaruar dje vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Para kësaj deklarate, mesditën e djeshme, prindër dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi” kanë protestuar kundër vendimit të Drejtorisë Arsimore për mbylljen e kësaj shkolle me traditë 95-vjeçare. Ata kanë nënshkruar edhe një peticion ku kundërshtojnë vendimin që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në shkollat “Siri Kodra”, “Lidhja e Prizrenit” dhe “Liceu Artistik”, ku do të zhvillojnë përkatësisht lëndët e përgjithshme dhe ato muzikore. Ndërkohë që burime zyrtare nga Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në MASH sqarojnë se nuk ka asnjë vendim për mbylljen e shkollës dhe se situata është krijuar për interesa të caktuara të disa njerëzve. Po ashtu, të njëjtat burime shpjegojnë se, pavarësisht propozimit që mund të bëjë Drejtoria Arsimore e Tiranës për mbylljen e shkollave, është Ministria e Arsimit ajo që merr vendimin përfundimtar. Sipas drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore, Arjana Bekteshi, duke qenë se numri i nxënësve në shkollën “Servete Maçi” është i vogël, do të ishte më mirë që godina e saj t’u vinte në ndihmë gjimnazeve që kanë edhe një numër shumë herë më të madh nxënësish, dhe ambiente të reduktuara. Kështu, Drejtoria Arsimore e Tiranës ka parashikuar që shkolla “Servete Maçi” t’i shërbejë nxënësve të shkollës së mesme “Sami Frashëri”, kjo për arsyen se ky gjimnaz është i mbingarkuar dhe se mësimi aty zhvillohet me orë të zgjatura. Ndërsa drejtoresha e shkollës “Servete Maçi”, Benerta Suxhuku, ka sqaruar se bëhet fjalë për një projekt, pa një vendim konkret, nga ku pas mbledhjes prindër-mësues dhe përfaqësues të Drejtorisë Arsimore, do të vendoset nëse ky do të jetë gjimnaz, apo nuk do të ketë zhvendosje të nxënësve në shkolla të tjera. Por, në kuadër të rishpërndarjes së nxënësve, sipas Drejtorisë Arsimore, do të mbyllen edhe dy shkolla të tjera, “Hoxha Tahsin” dhe “Konferenca e Pezës”, ku do të transferohen nxënësit e shkollës “Ismail Qemali” dhe “Qemal Stafa”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›