E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontributet, mblidhen të dhënat për ish-kooperativat bujqësore

Instituti i Sigurimeve Shoqërore njofton se të gjithë regjistrat e ish-kooperativave bujqësore, të periudhës kohore 1946-1991 po i nënshtrohen një përpunimi i cili ka të bëjë me certifikimin e tyre, administrimin unik, restaurimin, mirëmbajtjen, si dhe me hedhjen e të dhënave që pasqyrohen në to, në një bazë të dhënash kombëtare, bazë kjo që po krijohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. ISSH, me anë të këtij njoftimi, synon të informojë opinionin publik që ka përfunduar tërheqja, certifikimi, përpunimi i dokumentacionit, si dhe hedhja e të dhënave në bazën kombëtare të të dhënave për të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore për rajonet: Berat, Fier, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Kukës, Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Lezhë, dhe janë në proces dy rajonet e fundit, Dibra dhe Korça. ISSH sqaron, gjithashtu, se hedhja e të dhënave të ish-kooperativave bujqësore në bazën kombëtare është bërë e centralizuar, pra dokumentacioni është tërhequr në ISSH, është përpunuar, dhe më pas është hedhur në program. Përveç kësaj, krahas përfundimit të plotë të kësaj baze të dhënash, është bërë e mundur që t’u krijohet akses rajoneve që të mund të konsultojnë online të dhënat për efekt dhënie përfitimesh, pa qenë e nevojshme që të përdoren regjistrat, në të cilat pasqyrohen këto të dhëna. Kjo mënyrë të operuari, në praktikë siguron shpejtësi, uniformitet, kontroll të kryqëzuar në kohë reale dhe transparencë në dhënien e përfitimit. Krijimi i bazës kombëtare të të dhënave të regjistrave të ish-kooperativave bujqësore është i kombinuar me një projekt tjetër për krijimin e një baze tjetër kombëtare të dhënash për kontributet e paguara nga të vetëpunësuarit në bujqësi për periudhën 01.10.1993 e deri më sot. Kufiri mes këtyre dy projekteve është pikërisht data e hyrjes në fuqi të ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet shoqërore në RSH”. Projekti i dytë ka përfunduar në 31 maj 2011. Implementimi i të dy këtyre projekteve në mënyrë të kombinuar ka bërë të mundur që për zonat rurale (fshatin) të Shqipërisë ose ndryshe për 51% të popullsisë, ISSH është në fazën përmbyllëse të objektivit për krijimin e llogarive personale të kontribuesve, si dhe përfundon krijimi i historikut të sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, ISSH njofton të gjithë shtetasit e interesuar (punonjësit e ish-kooperativave bujqësore dhe të vetëpunësuarit në bujqësi), se për pajisjen me vërtetime për historinë e tyre kontributive, si dhe për përfitimet që rrjedhin nga kontributi i paguar, ata do të vazhdojnë të paraqesin kërkesat e tyre pranë Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore, pasi, pavarësisht lëvizjes së dokumentacionit, qytetarëve u sigurohet shërbimi në kohë reale pranë vendbanimeve të tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›