Jakaj: Nuk mund ta kontrollojmë në laborator
Produkti “Vitadox” nuk ka asnjë shans që të regjistrohet në regjistrin kombëtar të barnave në Shqipëri. Garancia jepet nga vetë kreu i Qendrës Kombëtare të Barnave, Besnik Jakaj, i cili shpjegon se çfarë kompetencash ka institucioni që ai drejton për këtë çështje, ndërsa shprehet se është në dorën e vetë njerëzve për ta përdorur atë ose jo. “Ne kemi kontrolluar në atë farmaci dhe ai nuk është produkt që na përket neve, sepse nuk është ilaç, por është mjekim popullor që prodhohet sipas një teknologjie të caktuar”, - pohon Jakaj. Lidhur me mundësinë për ta kontrolluar preparatin në laboratorët e QKB-së, ai shprehet se kjo gjë nuk është e mundur, pasi ai nuk është produkt që i përket këtij institucioni. “Përsa nuk është ilaç, ne nuk kemi kompetencë për ta kontrolluar atë në laboratorë. Njerëzit mund ta përdorin atë si të gjitha mjekimet e tjera popullore, siç është çaji jeshil, për shembull”, - thotë kreu i QKB-së. Dhe nëse edhe nga përdorimi i këtij produkti përsëritet e njëjta histori si me çajin jeshil kinez, që rezultoi se ishte i dëmshëm për shëndetin e njerëzve, pasi u dëmtoi organet e brendshme të organizmit, Jakaj këshillon që njerëzit të mos e përdorin, sikurse nuk e përdorën më çajin jeshil ata që patën efekte anësore. Më tej, kreu i QKB-së deklaron se produkti nuk ka asnjë shans që të regjistrohet në regjistrin kombëtar të barnave në vendin tonë. Ndërsa lidhur me pyetjen se cilat janë institucionet që duhet të merren me këtë çështje, për të sqaruar opinionin publik në lidhje me këtë produkt, Besnik Jakaj pohon se janë të gjitha institucionet që merren me mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, pa përmendur emrin e askujt prej tyre. Në fund, Jakaj shprehet se sqarimi për ardhjen e këtij produkti në vendin tonë duhet kërkuar te Doganat dhe Tatimet, që e kanë kontrolluar dhe lejuar që produkti të hyjë në Shqipëri.