Universitetet, miratohen mbi 23 mijë kuota të reja pranimi
Mbi 23 mijë studentë do të hyjnë për herë të parë në auditorët e universiteteve, gjatë vitit të ri akademik 2011-2012. Qeveria ka miratuar dje vendimin për kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në universitetet publike të vendit, duke rritur me 9% numrin e studentëve të rinj. Për vitin e ri akademik, në universitete do të pranohen 1600 studentë më shumë se vitin e kaluar, ndërkohë që degët ku janë shtuar më shumë kuotat e pranimit janë ato të inxhinierive dhe shkencave të natyrës. “Nga kjo mbledhje qeverie kemi kuotat e reja në universitete, në teknologjinë e informacionit, shkencat inxhinierike dhe shkencat natyrore. Vetëm në teknologjinë e informacionit, 22 degë apo diploma të lidhura me të, nisin studimet këtë vit 4500 studentë. Rritje te ndjeshme kanë dhe kuotat për gjuhët e huaja, në mënyrë të veçantë për gjuhën angleze. Mendoj se arsimi i lartë po i përgjigjet në këtë mënyrë kërkesave të mëdha në rritje për orientime themelore të zhvillimit të vendit. Ne kemi përcaktuar si një nga drejtimet tona themelore, të kësaj qeverie, Shqipërinë digjitale, Shqipërinë që do të mund t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë shërbimet më moderne, më të mira dhe më të lira. Shqipëria digjitale është një infrastrukturë për t’u ndërtuar dhe që po ndërtohet. Fakti që në universitet e vendit po nisin studimet 4500 vajza dhe djem në këtë fushë përbën një risi shumë pozitive, por dhe shtimi dhe rritja e kuotave në degët e inxhinierisë dhe në shkencat natyrore është dhe ky një lajm shumë i mirë, shumë pozitiv”, - deklaroi Kryeministri i vendit gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Më tej, kryeministri Berisha theksoi se një nga aspektet më pozitive dhe më të rëndësishme të këtyre pranimeve qëndron në faktin se 1/3 e tyre janë të orientuara në teknologjinë e informacionit, shkencat inxhinierike dhe shkencat natyrore, çfarë dëshmon se arsimi i lartë po u përgjigjet kërkesave të mëdha, në rritje për orientimet më themelore të zhvillimit të vendit. Gjithashtu, kreu i qeverisë u ka dhënë edhe një lajm të mirë të gjithë studentëve të rinj, se edhe për këtë vit akademik nuk do të ketë rritje të tarifave të shkollimit përveç inflacionit. “Rritje tarifash nuk mund të ketë, siç dihet inflacioni është inflacion dhe ai është i detyrueshëm. Ne jemi qeveri e qendrës së djathtë, simotrat tona kudo vendosin tarifa të larta, ne nuk e bëjmë këtë. Ne nuk e bëjmë këtë, sepse besojmë që aspekti social i sistemit që ndërtojmë jashtë çdo hipokrizie dhe dogme marksiste është i domosdoshëm, ndaj dhe ne mbetemi siç kemi rënë dakord vitin e kaluar, që nuk do të ketë rritje përveç inflacionit. Inflacioni do të jetë i detyrueshëm, se përndryshe bëhet i papërballueshëm gjatë viteve që vijnë”, - u shpreh Kryeministri. Pas miratimit nga qeveria, vendimi për kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit pritet të zbardhet brenda këtyre ditëve zyrtarisht nga Ministria e Arsimit, në mënyrë që studentët të orientohen më mirë për përzgjedhjen e degëve të studimit.