Dule: Berisha të japë dorëheqjen
Opsionet opozitare rreth zgjidhjes së krizës nuk përjashtojnë largimin e qeverisë si derivat i saj. Nëse Partia Socialiste ende flet për negociim apo kompromis, aleati i saj, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, nuk rresht së kërkuari largimin e qeverisë. "është momenti që secili të marrë përsipër përgjegjësitë e veta dhe në radhë të parë përgjegjësi kryesor për një vit kohë të humbur në jetën e çdo qytetari shqiptar, në jetën e komunitetit, në realizimin e ambicieve strategjike të vendit është qeveria e zotit Berisha, që duhet të marrë përsipër përgjegjësinë dhe të japë dorëheqjen”, u shpreh Dule i cituar nga “TV Alsat”. Ai ka shtjelluar edhe më tej idenë e vet duke propozuar krijimin e një qeverie të integrimit, e cila sipas tij do të duhet të krijojë mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme në një kohë optimale. “Duhet të nisë një dialog gjithëpërfshirës për krijimin e një qeverie sa më afatshkurtër, e cila me një axhendë të qartë dhe aksion politik të koordinuar do të mund të realizojnë si procesin e liberalizimit të vizave, ashtu dhe atë të marrjes përfundimisht të statusit të kandidatit. Dhe në një kohë optimale vendi duhet që t’i drejtohet ballafaqimit të ri zgjedhor", deklaroi Dule. Në një farë mënyre, ai ka propozuar më shumë një qeveri me bazë të gjerë, e cila do të ketë si objektiv parësor realizimin e axhendës së integrimit, e cila nuk mund të ecë përpara në një kohë kur vendi aktualisht është i përçarë mes dy kampeve.
#