E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave: Pushteti vendor nuk po e realizon grumbullimin e të ardhurave



Të ardhurat nga pushteti vendor në 7 muajt e parë të vitit rezultojnë me një deficit që është nën nivelin e planifikuar për vitin 2009. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat e mbledhura nga taksat lokale për periudhën janar-korrik arritën në 8 miliardë lekë, nga 10.98 miliardë lekë të planifikuara, duke realizuar vetëm 73.27% të planit të periudhës. Taksa vendore mbi biznesin e vogël ka mbledhur 1.8 miliardë lekë, të njëjtin nivel të ardhurash me një vit më parë; nga tatimet mbi pasurinë (ndërtesa dhe tokë bujqësore) janë mbledhur vetëm 967 milionë lekë, me rënie krahasuar me një vit më parë prej rreth 4 për qind; nga taksat e tjera lokale janë mbledhur për periudhën 5.3 miliardë lekë. Në këtë grup, taksa më e rëndësishme është ajo e ndikimit të infrastrukturës, nga e cila këtë vit janë mbledhur rreth 2 miliardë lekë krahasuar me 920 milionë lekë të të njëjtës periudhë të vitit 2008, me një rritje prej 121 për qind. Rritje kanë pasur dhe të ardhurat nga taksa e reklamave, me 116 për qind dhe nga taksa e tabelës.

Borxhet, Financat vendosin kalimin e 30 milionë eurove të OSSH-së për KESH-in

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të rikapitalizohet. Me anë të një vendimi të posaçëm, ministri i Financave ka propozuar kalimin e një pjese të fondeve nga privatizimi i OSSH-së, për të mbuluar borxhet e shumta që ka KESH-i. Në llogari të Korporatës do të kalojnë nga paratë e privatizimit të OSSH-së plot 30 milionë euro me të cilat KESH-i do të përmirësojë situatën e vet financiare. “Rreth 30 milionë euro do t’i jepen kompanisë publike ‘KESH’ për të përmirësuar situatën financiare të saj dhe për të shlyer detyrimet që ajo ka ndaj sistemit bankar”,- ka deklaruar disa ditë më parë ministri i Financave, Ridvan Bode. Kalimi i këtyre parave në llogari të KESH-it ka qenë e parashikuar edhe në ligjin e privatizimit të OSSH-së dhe është edhe kusht i garancisë së vendosur nga Banka Botërore. Drejtues të KESH-it kanë thënë në lidhje me këtë proces se, qeveria është e vonuar në kalimin e këtyre fondeve pasi sipas ligjit paratë duhet të ishin dhënë që para një muaji, për të mbuluar gropat financiare që ka Korporata.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›