E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: “Rama ka të drejtë të rikandidojë për kreun e PS-së”



Themeluesi i Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91, (PSV-’91) Petro Koçi, deklaroi se po pret me interes Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, ku do të vendoset për kryetarin e ardhshëm të kësaj partie. Në një prononcim për mediat, Koçi, një ish-deputet dhe një ish-funksionar i rëndësishëm i PS-së, theksoi se Statuti i PS-së e lejon Edi Ramën të rikandidojë për kreun e PS-së, duke dalë kështu kundër shumë zërave brenda Partisë Socialiste që e kundërshtojnë këtë kandidim. Koçi u shpreh gjithashtu se pret një platformë ribashkimi nga PS-ja, si dhe një analizë të hollësishme. Sipas tij, kjo është kryesore për momentin, duke renditur dytësore për nga rëndësia, garën për kryetar të socialistëve që po përflitet më së shumti kohët e fundit. Koçi foli gjithashtu edhe për mundësinë e bashkimit midis PS-së dhe PSV ’91-shit. Sipas tij, ky bashkim është i mundshëm, por vetëm në rast se Partia Socialiste do të ishte më e hapur dhe do të evitonte prirjet totalitariste.

Zgjedhjet për kryetarin, në PS nis puna për verifikimin e anëtarësisë

Menjëherë pas përfundimit të punimeve të Kongresit të Jashtëzakonshëm dhe të caktimit të datës për zhvillimin e zgjedhjeve për kreun e PS-së, në Partinë Socialiste pritet të nisë procesi i verifikimit të plotë të anëtarësisë së saj. Kjo pasi do të jetë anëtarësia e Partisë Socialiste ajo që do të vendosë për emrin e kryetarit të ri me anë ta parimit “një anëtar, një votë”. Procesit të votimit do t’i paraprijë hartimi dhe verifikimi i listave të anëtarëve, të cilët do të kenë të drejtë vote. Sipas të dhënave të publikuara nga Partia Socialiste, numri i anëtarëve të saj në të gjithë vendin është rreth 60 mijë, por numri i saktë do të deklarohet vetëm pas përfundimit të këtij procesi verifikimi. Votimi do të jetë si proceset e votimit që kemi parë në zgjedhjet në Shqipëri. Në të gjitha degët e PS-së do të ngrihen komisione, të cilat do të përbëhen nga përfaqësues dhe mbështetës të kandidaturave për kreun e PS-së. Komisionet do të kujdesen për zhvillimin e një procesi normal dhe për elementet e tij, si listat e votuesve, fletët e votimit dhe numërimin e votave.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›