E Diel, 1 Nëntor 2026

Leku në “rënie të lirë”, euroja dhe valutat e tjera nuk e ndalin rritjen

Sipas ekspertëve, tregu nuk i përmbush nevojat në rritje për valutë

Ervin KOÇI

Monedha kombëtare, leku, po jeton ditët më të këqija në raport me valutat e huaja, ku çdo ditë zhvlerësimi bëhet edhe më i madh. Nga ana tjetër, monedha e përbashkët europiane, euro, kërceu në kuotën më të lartë në shtatë javë ditën e premte kundrejt lekut, si pasojë e "presionit në rritje", që sipas ekspertëve, po krijohet mbi monedhën kombëtare në prag të mbylljes së sezonit turistik. Euroja u rrit deri në 131.62 lekë sipas kursit fiks të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, në një javë të karakterizuar nga lëvizje të vrullshme në treg. Gjatë javës së shkuar leku humbi 1.07 për qind të vlerës kundrejt euros, ndërsa luhatjet kundrejt dollarit u përcaktuan nga ndryshimet në tregun ndërkombëtar. Bankat kanë njoftuar gjatë gjithë muajit gusht se në sportelet e tyre nuk është shënuar ndonjë fluks në rritje në qarkullimin e euros, gjë që pati ndodhur vazhdimisht gjatë viteve të shkuara. Leku ka njohur gjithmonë forcim gjatë verës, si pasojë e rritjes së hyrjeve valutore në treg nga emigrantët dhe turistët, por ndryshe nga të gjitha vitet, këtë verë po shihet e kundërta. Leku shënoi kulmin këtë sezon në javën e parë të korrikut, por pas kësaj, euroja vijoi të luhatej rreth kuotës 130 lekë, deri në javën e fundit, kur u vu re edhe një dobësim gradual. Por ajo që është dhe më shqetësuesve edhe për ekspertët e ekonomisë është fakti që kërkesa për valutë në treg pritet të rritet, pasi me afrimin e vjeshtës shtohen edhe importet, gjë që nënkupton një zhvlerësim edhe më të madh të monedhës tonë kombëtare.

Ekspertët

Sinjalet kërcënuese që po shfaq kursi i këmbimit, ku leku ka nisur të zhvlerësohet me shpejtësi, kanë ngritur shqetësimin se si mund të administrohet kjo situatë që mund të rrezikojë edhe stabilitetin financiar të vendit. Arben Malaj, ish-ministri socialist i Financave, thotë se Banka Qendrore nuk mundet dot e vetme të garantojë qëndrueshmërinë e monedhës. “Ideja për të përdorur rezervën financiare për të forcuar monedhën tënde është e dështuar. Nuk mund të fshihet më se pas keqpërdorimit që qeveria u bëri rezervave dhe hartimit të normave të larta të interesit, do të ketë efekte”, - ka pohuar Malaj. Leku nuk arriti të stabilizohet në periudhën më të mirë për të, atë të sezonit të verës, kur në treg ka më shumë valutë. Tashmë, parashikimet për muajt e ardhshëm janë edhe më të zymtë, aq më tepër kur tregjet ndërkombëtare po përvijojnë një tjetër koniunkturë negative. “Ka disa zhvillime negative në ekonominë globale, si çmimi i naftës, rritja e të cilit do të rrisë edhe çmimet e importit. Do të na duhet më shumë valutë për ekonominë e vendit tonë”,- ka nënvizuar Malaj.

Ndërkombëtarët

FMN-ja parashikoi që në fillim të krizës se monedhat e shumë vendeve në rajon do të tronditeshin, ndaj dhe u rekomandoi publikisht qeverive, përfshirë dhe asaj shqiptare, kontroll të rreptë të shpenzimeve publike. Shumë nga vendet fqinje janë detyruar në këtë pikë të marrin masa drastike, duke mos prekur vetëm zërin e investimeve, por edhe pagat e administratës. “Në të gjitha vendet ku FMN-ja ka ofruar ndihmë, e ka kushtëzuar ndihmën me një sërë reformash. Nuk ka kohë për t’u vonuar. Është detyra kryesore rikthimi i menaxhimit më të mirë të financave publike”,- ka shtuar Malaj. Disa zhvillime të fundit në marrëdhëniet financiare të Shqipërisë me jashtë, sidomos rritja e deficitit korrent, ngrenë pikëpyetjen nëse e ka kaluar Shqipëria goditjen më të madhe nga kriza, apo sfidat e financave publike do të imponojnë shumë shpejt për qytetarët shqiptarë masa drastike, si ato të qeverive fqinje.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›