Taksat deri në vitin 2013, ulen tarifat doganore, nuk ndryshon TVSH-ja
Qeveria e ka lënë në mëdyshje rritjen ose jo të taksave për mandatin e dytë të saj. Kjo gjë theksohet edhe në programin e rishikuar makroekonomik fiskal, të bërë publik nga Ministria e Financave për vitet 2009-2013. Sipas këtij projekti synohet mbajtja konstante e normës së TVSH-së, rishikimi i nivelit të akcizës së mallrave të forta, ulja e taksave doganore dhe e normës së kontributeve të sigurimeve shoqërore. Këtë gjë ka ritheksuar pak ditë më parë edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, duke thënë se Shqipëria do të jetë vendi me taksat më të ulëta në rajon. “Politikat tona fiskale do të vazhdojnë të jenë të tilla, siç kanë qenë deri më sot, aktive dhe mbështetëse për zhvillimin e ekonomisë dhe të mjaftueshme për të mbajtur një qëndrueshmëri të treguesve makroekonomikë, për të mbështetur programet ambicioze të investimeve dhe të çdo gjëje që ka të bëjë me prioritetet e qeverisë. Politikat tona në fushën e tatim-taksave do të jenë ato që do të mbajnë nivelin më të ulët të tatim-taksave në rajon, për ta bërë Shqipërinë vend tërheqës për investime dhe duke bërë rregullimet e nevojshme për të krijuar jo vetëm një sistem të taksave më të ulëta, por dhe një sistem të taksave më të drejta, çka do të thotë modernizim të brendshëm të sistemit përmes informatizimit dhe përmirësimeve në hallka të veçanta të tij, që të japim atë drejtësi të nevojshme që duhet të ketë një sistem taksash në një shoqëri të tillë”, - thekoi Bode. Të ardhurat nga taksat doganore do të vazhdojnë trendin rënës të tyre gjatë periudhës 2009-2013, si rezultat i reduktimit të niveleve të tarifës doganore. Ky është parashikimi i qeverisë shqiptare, që rrjedh nga zbatimi i angazhimeve tarifore të ndërmarra në Marrëveshjen e Ndërmjetme BE-Shqipëri, OBT, CEFTA dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë. Reduktimet e këtyre tarifave me OBT-në do të jenë deri në vitin 2009 dhe reduktimet thelbësore të MTL me BE-në, CEFTA dhe me Turqinë do të jenë më drastike deri më 2011-n. Kështu, në vitin 2009 rreth 6.1 miliardë lekë, në vitin 2010 rreth 5.6 miliardë lekë dhe në vitin 2011 rreth 6.2 miliardë lekë krahasuar me 9.4 miliardë lekë gjatë vitit 2008. Gjatë parashikimit është marrë në konsideratë se efektet negative të reduktimit të tarifave do të kompensohen deri diku me rritjen e volumit të importeve nga këto vende, si rezultat i efekteve pozitive që do të sjellin politikat liberalizuese tarifore. Nga ana tjetër, qeveria parashikon një përmirësim të rritjes ekonomike duke nisur që nga viti 2010 dhe kuadri monetar fiskal shqiptar e mundëson dhe e synon një rritje të tillë ekonomike. “Politikat tona fiskale do të vazhdojnë të jenë të tilla, siç kanë qenë deri sot aktive dhe mbështetëse për zhvillimin e ekonomisë dhe të mjaftueshme për të mbajtur një qëndrueshmëri të treguesve makroekonomikë për të mbështetur programet ambicioze të investimeve dhe të çdo gjëje që ka të bëjë me prioritetet e qeverisë”, - theksoi ministri i Financave, Ridvan Bode, pak ditë më parë.
Tabela
Taksat që u ulën gjatë viteve 2005-2009
1. Në harkun e tre viteve u ul me 2.5 herë tatimi mbi fitimin (nga 25% ne 10 %)
2. U ulën me dy herë tatimet mbi biznesin e vogël (nga 3% e xhiros ne 1,5%)
3. U ul taksa mbi punën e paguar nga punëmarrësit (bizneset) me 1/3 në vitin 2006 dhe nga maji 2009, kjo taksë u ul me dy herë krahasuar me nivelin e vitit 2005
4. U ul me 2.5 herë taksimi mbi dividendin e aksioneve dhe norma maksimale e taksimit të të ardhurave personale
5. Taksa doganore është ulur me 3 herë (nga 6% ne 2%)
6. Janë hequr mbi 20 taksa nacionale dhe janë hequr ose ulur thellësisht, një numër i madh tarifash shërbimi, përfshi dhe çmimin e energjisë elektrike për kompanitë
25 Gusht 2009