E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia, asnjë rrezik për sigurinë

Ekspertët ndërkombëtarë diskutojnë për një destabilizim të mundshëm

“Nuk ka arsye për panik dhe shqetësime të mëdha rreth situatës së sigurisë në Maqedoni”. Ky është vlerësimi i një nga ekspertëve më të njohur në botë, në fushën e sigurisë dhe të terrorizmit. Klod Monike, president i Qendrës Europiane për Sigurinë dhe Zbulimin Strategjik me bazë në Bruksel, pas gjetjes ditët e fundit të një sasie të madhe armësh në një bunker pranë fshatit Bllacë në kufirin mes Maqedonisë dhe Kosovës, që nxori edhe një herë në pah shqetësimet për gjendjen e sigurisë në këtë vend ballkanik dhe destabilizimin eventual të tij. Në një prononcim të fundit në median maqedonase, z. Monike, pasi vuri në dukje se në Maqedoni ka ende një numër të madh armësh që nuk u janë kthyer institucioneve përkatëse që nga koha e luftës së vitit 2001 në këtë vend, tha: “Së pari, fakti se edhe pas 10 vjetësh në Maqedoni gjenden armë, nuk përbën ndonjë befasi të madhe. Së dyti, besoj ju kujtohet mirë se, kur Ushtria Republikane Irlandeze (IRA) pranoi të luajë rol politik në Irlandën e Veriut, pra kur vendosi të kalojë nga dhuna në politikë, atëherë në ‘të majtë’ të IRA-s u shfaqën disa grupe edhe më ekstremiste sesa kishte qenë ajo vet më parë. Mbas çdo lufte guerile ose konflikti të kësaj natyre, gjithnjë ka nga ata ‘luftëtarë’ që nuk duan t’i dorëzojnë armët”. Duke vazhduar më poshtë, presidenti i institucionit ndërkombëtar të lartpërmendur kërkimor, i specializuar sa u përket çështjeve të sigurisë dhe të terrorizmit në botë, nënvizoi se partnerët maqedonas dhe shqiptarë të koalicionit qeveritar në Maqedoni duhet të mbajnë qëndrime të patundura dhe të përgjegjshme. “Në rast se gjendemi në një situatë, kur grupet ekstremiste do të synojnë që t’i kthehen përsëri dhunës, atëherë rëndësi nuk do të kenë shumë aksionet e tyre sesa mbështetja eventuale që do të mund të kenë ata midis bashkësisë shqiptare, pra nëse kjo e fundit do të distancohej në mënyrë të qartë nga këto grupe. Nga ana tjetër, po aq rëndësi ka edhe mënyra sesi do të reagojë shteti ndaj kësaj situate, pra mënyra sesi do ta përballojë një grup ekstremist të caktuar, dhe jo ta vërë gishtin tek e gjithë bashkësia shqiptare”, tha ai.

Teoritë e përhapura për ekzistencën e një lloj presioni të ushtruar nga bashkësia ndërkombëtare përmes shqiptarëve ndaj qeverisë maqedonase që kjo e fundit të detyrohet të bëjë kompromis për çështjen e emrit me Greqinë, z. Monike i quajti qesharake dhe një paranojë të qartë. “Ballkani ende nuk është stabilizuar krejtësisht, por NATO dhe BE nuk do të lejojnë një destabilizim të ri në rajon”, theksoi eksperti i njohur ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe të terrorizmit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›