Shqiptarët shpëtojnë Maqedoninë nga kriza
Paratë e mërgimtarëve shqiptarë të dërguara familjeve të tyre në Maqedoni sërish do të shpëtojnë ekonominë nga kolapsi. Kjo vërtetohet edhe nga raportet e organizatave më relevante të informacionit tregtar. Agjencia më e madhe dhe më e vjetër e informacionit tregtar dhe të biznesit në botë, “Dun & Bradstreet” (D&B) në raportin e tij të publikuar në fillim të muajit maj parashikon rritje të dërgesave të mërgimtarëve në Maqedoni. Sipas publikimit të radhës nga “Dun & Bradstreet” thuhet se dërgesat e parave do të rriten si pasojë e përmirësimit të ekonomisë globale dhe kërkesave gjithnjë e më të mëdha të krahut të punës në vendet e Perëndimit. Dërgesat e mërgimtarëve shqiptarë, që njihen si remitanca, vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishme për konsumin e ekonomive familjare në Maqedoni. Shumica e shqiptarëve janë të papunë dhe kryesisht jetojnë nga të ardhurat e familjarëve të tyre që punojnë në vendet e BE-së. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, pikërisht dërgimi i rreth 300 milionë dollarëve për familjet e tyre në mënyrë indirekte për çdo vit financon deficitin buxhetor të shtetit. Statistikat e Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM) tregojnë se vitin e kaluar diaspora ka dërguar disa dhjetëra milionë euro. Niveli i dërgimit të parave në vitin 2009, në bazë të të dhënave të Bankës Popullore arrin vlerat diku mbi 100 milionë euro. Edhe nga përfaqësitë e degëve të kompanisë “Western Union” në Maqedoni thonë se me daljen e Europës nga recesioni ekonomik, dërgimi i parave nga ana e mërgimtarëve ka shënuar rritje modeste në krahasim me vitin e kaluar, kur si pasojë e krizës ekonomike globale, shumë bashkatdhetarë humbën vendet e punës. “Mërgimtarët si duket po e ndiejnë përmirësimin e ekonomisë globale. Muajve të fundit kanë dërguar para me shuma më të mëdha se një vit më vit parë”, thonë nga kompania “Western Union”. Megjithatë, “Dun & Bradstreet” (D&B) vlerëson se gjasat janë të vogla që Maqedonia të ketë rritje të mëdha ekonomike siç pritet në shumicën e pjesëve tjera të Europës. “Dun & Bradstreet” (D&B) është agjencia më e madhe dhe më e vjetër e informacionit tregtar dhe të biznesit në botë që daton 170 vjet.
#