E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembjet e shtëpive, ekspertët: Janë në kurriz të taksapaguesve

Shembjet e disa shtëpive në fshatra të ndryshme të vendit kanë risjellë në vëmendjen e ekspertëve të sigurimeve rrezikun që u kanoset ndërtimeve informale të pasiguruara, por edhe mbulimit të kostove të këtij dëmi financiar. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse operatorët e tregut të sigurimeve kanë propozuar që në dosjen e legalizimit të përfshihej edhe një siguracion i detyrueshëm modest dhe i përballueshëm nga shumica e atyre që i disponojnë këto ndërtime pa leje. "Situata të tilla si ajo e Synejit apo të tjera që kanë ndodhur në vendin tonë, do të vijojnë të jenë të pranishme edhe në të ardhme në realitetin shqiptar. Por a është e ligjshme, a është e moralshme që zgjidhja e pasojave që krijohen të bëhet me para të taksapaguesve shqiptarë? A është e përligjur kërkesa e viktimave të këtyre ngjarjeve: "Shteti të na ndihmojë"? Pse duhet që taksapaguesve të thjeshtë shqiptarë t‘u ngarkohen kosto suplementare, pikërisht nga ata që edhe kanë ndërtuar pa leje, por edhe kanë krijuar probleme, tashmë… me leje? A është e arsyeshme që legalizimi i ndërtimeve pa ligj e kriter të bëhet me pandjeshmëri, sikur nuk ka ndodhur asgjë"? Janë këto pyetjet që ngrihen nga ekspertët e tregut të sigurimeve, të cilët llogarisin edhe dëmin e jashtëzakonshëm financiar për një individ që humbet shtëpinë në një fatkeqësi dhe gjendet pa asnjë ndihmë financiare, në mëshirë të shtetit dhe parave të taksapaguesve. Sipas ekspertëve të fushës, shtetet moderne i kanë zgjidhur këto marrëdhënie nëpërmjet tregut të sigurimeve. Ata shprehen se skema klasike e parashikimit të situatave problematike është ndërtimi i marrëdhënies nëpërmjet kompanive të sigurimit. Ndërsa theksojnë se shteti shqiptar, nëse do të ketë vizionin e duhur, duhet të kuptojë se ngjarjet si ajo e Synejit apo Pogradecit do të jenë aq të shpeshta, sa qeveritarët do të humbasin dëshirën dhe kurajën për të dalë e premtuar ndihma në emër të qeverisë. Kjo, pasi edhe mundësitë nuk do të ekzistojnë.

Për drejtuesit e kompanive të tregut të sigurimeve është më se e qartë se në një mjedis ku ekzistojnë mbi 350 mijë ndërtime pa leje, janë të pashmangshme katastrofa të tilla të përgatitura nga vetë mendja dhe vullneti i njeriut. Ndaj ata i mëshojnë idesë se nëse tani nuk mund të bëhet gjë për t‘i shmangur, e rëndësishme është të punohet për të krijuar fondet e nevojshme për t‘i përballuar financiarisht ato.

Shtatë shtëpi në Komunën Synej të Rrethit të Kavajës u shembën këtë javë, duke përbërë një lajm dramatik për të gjithë vendin. Po kështu, një shtëpi tjetër u shemb në Pogradec, ndërkohë që fatin e saj rrezikojnë ta ndjekin edhe mjaft të tjera. Jo shumë larg Synejit, në Spille, në një fshat tjetër kavajas, diga e rezervuarit rrezikoi të çahet, duke kërcënuar kështu banorët e një fshati të tërë. Sigurisht, tashmë nuk kemi të bëjmë me ngjarje spontane, nuk kemi të bëjmë me katastrofa natyrore, por thjesht "po korrim, ato që kemi mbjellë ndër vite". Ndërtimet e bëra pa leje dhe kriter, pa respektuar minimumin e rregullave, do të kenë koston e tyre, e cila përmblidhet me pak fjalë me mungesën e garancisë për të jetuar i qetë, së pari nga "hakmarrja e natyrës", por edhe nga problemet që i shkaktojnë reciprokisht njëri-tjetrit të gjithë "kolegët" e ndërtimeve pa leje. Pak muaj më parë, një pallat në Gjirokastër u shemb duke marrë jetë njerëzish. Një fëmijë shkodran 6-vjeçar u dogj nga flakët, pasi zjarrfikësit e kishin të pamundur të shkonin në vendngjarje nga ndërtimet pa leje dhe pa kriter. Nga ana tjetër, është rasti i zonës së Shallvareve në Tiranë, ku rreziku i shembjeve, si rrjedhojë e shtesave pa leje apo modifikimeve që u janë bërë kateve të para, është real.

Mblidhet shtabi i emergjencave civile, merren masa për zonën

Trebinjë, sistemohen banorët e shtëpive të dëmtuara

Alarmi i dhënë për shembjen e 6 banesave të tjera, përveç asaj që është shkatërruar tashmë, në fshatin Trebinjë të Pogradecit dhe rreziku i rrëshqitjes së vazhdueshme të tokës, kanë mbledhur në një takim urgjent shtabin e emergjencave civile dhe prefekten e Korçës, Elfrida Zefi. Pas analizimit të situatës janë marrë masat e para urgjente për banorët e zonës. Kështu është vendosur që zona të rrethohet, duke mos lejuar kalimin e njerëzve, për shkak të rrezikut që mund të sjellë shembja e objekteve të tjera. Zona në fjalë është konsideruar nga shtabi i emergjencave civile si e pabanueshme.

Dhori Çekrezi, shefi i shtabit të emergjencave civile, ka bërë të ditur se tri familje janë evakuuar dhe janë zhvendosur në ambiente të marra me qira enkas për ta nga ana e Komunës së Trebinjës. "Tashmë është përfunduar studimi inxhinierik gjeologjik në zonën e banimit të prekur nga rrëshqitjet dhe është arritur në përfundimin se situata është krijuar për shkak të tejngopjes me ujë të terrenit të shkrifët mbi të cilin janë ndërtuar banesat. Pasi janë përcaktuar shkaqet, janë marrë masa që banorët e shtatë familjeve të sistemohen me fonde të komunës në ambiente me qira. Dy familje të dëmtuara më rëndë janë shpërngulur në qytetin e Pogradecit dhe një tjetër në fshat. Dokumentacioni i plotë pas përfundimit të studimit gjeologjik të zonës do t‘i dërgohet Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile për të vendosur masa shtesë në ndihmë të banorëve", ka thënë Çekrezi. Sipas tij, pas sinjalizimit të parë në 29 janar ka nisur menjëherë verifikimi në vend i situatës, për të shmangur ndonjë fatkeqësi natyrore të mundshme. Shtabi i emergjencave civile ka shtuar se nga verifikimi i zonës është parë që bëhet fjalë për një terren me gjatësi 120 metra dhe 50 metra të gjerë, i cili është përfshirë nga rrëshqitjet e tokës. Zona ndodhet rreth 20 kilometra larg nga qyteti i Pogradecit dhe për shkak të reshjeve është vështirësuar së tepërmi puna për kryerjen e ndërhyrjeve pas dëborës së fundit. Reshjet e ditëve të fundit kanë përkeqësuar më tej situatën në kushtet kur alarmi për rrëshqitje të tokës është dhënë që më parë, por pa mundësuar shpëtimin e banesave të fshatit. Fshati ka ndërtesa të vjetra, të cilat rrezikohen nga avancimi i mëtejshëm i rrëshqitjeve.

Kavajë

Ministria e Bujqësisë: Situata është në monitorim, por jashtë rrezikut për një katastrofë

Shkarkohet uji në rezervuarin

që rrezikoi përmbytjen në tri fshatra

Rreziku për përmbytjen e tri fshatrave nga çedimi i rezervuarit të Shardushkut, në Kavajë, ka kaluar. Për këtë garantojnë drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë. Kjo, pas ndërhyrjes me ekskavatorë të posaçëm, që kryen gërmime për thellimin e rezervuarit, i cili pësoi rrëshqitje si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit. Aktualisht bëhet e ditur se vazhdon të shkarkohet ujë nga shkarkuesi katastrofik, i cili u thellua edhe më shumë gjatë natës në prani të ekspertëve të digave. "Është ndërhyrë në zgjerimin dhe thellimin e shkarkuesit katastrofik të rezervuarit, i cili hapet vetëm nga specialistët e digave dhe vetëm në raste shumë alarmante", deklaroi dje zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Rexhep Shaho. Sipas tij, rezervuari vazhdon të shkarkohet me shpejtësi dhe është kapërcyer tashmë rreziku për një katastrofë të mundshme. Në rezervuar nuk hyn më ujë tjetër.

"Niveli i ujit në rezervuar nga shkarkimi nëpërmjet katastrofikut, i cili u thellua nga një ekskavator teknologjik i Ministrisë së Bujqësisë, ka rënë një metër e gjysmë dhe deri në mbrëmje kjo shifër shkon dy metra e gjysmë, që do të thotë se nga rezervuari deri në mbrëmje shkarkohen rreth 800 mijë metra kub ujë dhe kështu nuk përbën më rrezik shembja ose shpërthimi i digës", ka sqaruar më tej ditën e djeshme përfaqësuesi zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë.

Më 24 mars në mëngjes u konstatua rrëshqitja deri në rreth një metër e digës së rezervuarit të Shardushkut afër fshatit Synej të Kavajës, me kapacitet mbi një milion metra kub ujë, ndërtuar në vitet ‘70. Shpërthimi i kësaj dige do të sillte pasoja të rënda për fshatin Synej, Greth i Madh e Greth i Mesëm.

Në Shqipëri janë 640 rezervuarë bujqësie. Prej tyre janë riparuar në këto tri vite vetëm 53 diga rezervuarësh, ose ato të konsideruara nga ekspertët me rrezikshmëri më të lartë. Është hartuar projekti i ri prej mbi 40 milionë dollarë për riparimin e gjithë digave të rezervuarëve të bujqësisë në vend, në kuadër të projektit të ri 5-vjeçar për ujitjen e kullimin që kap vlerën totale 200 milionë dollarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›