E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla në Shkozë, punëtorët apel: Nuk jemi paguar

Është pothuajse në përfundim godina e një shkolle në Shkozë, në periferi të Tiranës, por ata që punojnë për ndërtimin e saj ende nuk janë paguar. Punetorët pretendojnë se janë mashtruar prej muajsh nga firma që kryen punimet. 

TIRANE- Punojnë prej disa muajsh për ndërtimin e një shkolle 9 vjecare në Shkozë, në periferi të kryeqytetit por ende nuk janë paguar edhe pse kanë pritur më kot fundin e secilit muaj për të marrë atë që u takon. E vetmja zgjidhje për këta punëtorë ka mbetur pezullimi i punës, duke shpresuar kështu se drejtuesit e firmës Salillari do të reagojnë.
Ndërkaq, inxhinieri që ndjek punimet, të cilit punëtorët nuk i dinë as emrin, është mjaft kontradiktor në deklaratat e tij. Ai pretendon fillimisht se punëtorët kanë vetëm një muaj që nuk marrin pagat, më pas fajëson Bashkinë se nuk ka celur ende fondin.
Ndërsa nuk marrin një përgjigje nga firma që i ka punësuar, punëtorët nuk mund të drejtohen as në ndonjë institucion shtetëror për tu ankuar pasi nuk kanë një kontratë pune dhe nuk figurojnë askund të punësuar. Do tu duhet të presin edhe një tjetër afat të vënë nga firma por të gjithë shprehen se tashmë durimi e ka kaluar kufirin. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›