E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla, viti i ri nis me probleme

 

Vonesa në rikonstruksionin e shkollave, moskryerja e tenderëve për furnizimin e tyre me bazë materiale dhe mungesa e kushteve higjieno-sanitare. Këto shkaqe bënë që mijëra nxënës të shkollave të ndryshme në vend të sorollateshin ditën e djeshme. Në disa prej tyre mësimi është zhvendosur në ambiente të tjera, ndërsa në disa shkolla, viti arsimor do të shtyhet në një afat tjetër.
GJIROKASTER
Të tre shkollat ku u konstatuan mangësi të theksuara të kushteve higjienike nga ana e Inspektoratit të Higjienës në Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik, kanë çelur dje dyert. Me gjithë konstatimin e mungesës së kushteve nga specialistët e higjienës, procesi mësimor ka startuar edhe te shkollat 9-vjeçare problematike “Koto Hoxhi”, “29 Nëntori” dhe “Së Bashku”. Mbi 1500 nxënës që mësojnë në këto tre institucione arsimore janë ulur dje në bankat e klasave, të cilat në rastin më të mirë kanë parë gëlqeren me sy pas vitesh mungese. Sipas Sefer Aliajt, anëtar i bordit të prindërve, duhet të ndërhyhet urgjentisht për ndryshimin e situatës, pasi nëpër këmbë është virusi A/H1N1 dhe gjithçka mund të ndodhë.
BURREL
Mbi 100 milionë lekë të rinj kanë kushtuar dy objekte të ndërtuara në qendër të qytetit të Burrelit, ndërkohë që ato nuk vihen në punë. Shkolla e mesme “Pjetër Budi”, e etiketuar si “Universiteti i Matit”, nuk i hapi dje dyert e saj. Një vit më parë Kryeministri Berisha e inauguroi atë dhe premtoi se në fund të muajit mars të këtij viti do të përfundonin punimet. Ai premtoi se kjo do të ishte një shkollë model, me kabinete, laboratorë dhe bazë materiale bashkëkohore. Por zyrtarë të bashkisë së Burrelit deklaruan se shkolla më e madhe në rreth, megjithëse punimet kanë përfunduar, nuk do të nisë nga puna, pasi MASH nuk ka zhvilluar tenderin e bazës materiale. Pra, ashtu si vitin e kaluar, mësimi i mbi dy mijë nxënësve të shkollave të mesme do të zhvillohet me dy turne, me orë 30 minutëshe, në prani të kaosit, zhurmave dhe dëmtimit të bazës materiale të shkollës së mesme “28 Nëntori”.
FIER
Ndryshe nga të gjitha shkollat e tjera, shkolla e re 9-vjeçare e fshatit Topojë nuk u dha asnjë shans 300 fëmijëve të ulen në bankat e saj. Ka qenë një urdhër i Drejtorisë së Shëndetit Publik ai që ka hequr të drejtën e çeljes shkollës së vjetër, ndërsa e reja nuk ka përfunduar plotësisht. Dje, shkolla e vjetër u hap për fëmijët e klasave të para deri tek e pesta, në kundërshtim me urdhrin, ndërsa të tjerët duhet të udhëtojnë 8 km larg në shkollën e Semanit. Kryetari i komunës Sotir Zarka ka deklaruar se shkolla e re nuk mund të përfundojë se duhen dhe 7 milionë lekë, ndërsa shton se komuna ka vënë në dispozicion të fëmijëve një autobus.
LEZHE
Dita e parë e shkollës la dje pa mësim 610 nxënës në qarkun e Lezhës. Në Shullaz shkolla 9-vjeçare është në rikonstruksion. Drejtoria Arsimore u ka kërkuar nxënësve që të shkojnë në shkollën e Fushë-Milotit për të bërë mësim pasdite. Por prindërit e kundërshtojnë këtë zgjidhje duke paralajmëruar protesta. Drejtoria arsimore e justifikon këtë me vonesën e akordimit të fondit nga ana e ministrisë si dhe dështimi disa herë i tenderave për rikonstruksionin e kësaj shkolle, në të cilën mësojnë 330 nxënës. Ndërsa në shkollën 9-vjeçare në Barbullojë të Lezhës studiojnë 280 nxënës. Edhe pse është ndërtuar shkolla e re, ajo nuk është pajisur me bazën materiale si banka, dërrasa e zezë etj. Drejtoria Arsimore në Lezhë ka urdhëruar zhvillimin e mësimit përsëri ashtu si një vit më parë, në një nga ambientet e kishës katolike të këtij fshati.

Burrel, gjimnazistja: Dy muaj të asistencës për të blerë librat
BURREL - Mbi 400 nxënës të fshatit Suç në Burrel nuk e kanë nisur dje vitin shkollor 2009-2010. Shkak për këtë është bërë mungesa e mjediseve mësimore. Drejtues të shkollës hezitojnë të flasin, ndërkohë nxënësit pohojnë se mungojnë klasat dhe baza materiale për fillimin e vitit të ri shkollor. Oborrin e shkollës e kanë pushtuar inerte të ndryshme, ndërkohë në klasa mungojnë dyer e dritare. Korridoret janë pushtuar nga materiale të ndryshme ndërtimi, ndërkohë që ustallarët vijojnë me vendosjen e pllakave, lyerjen e korridoreve dhe mureve. Nxënësja e vitit të 3-të të shkollës së mesme “Haxhi Lata” Suç, Alketa Rami, nuk lë pa përmendur problemet e shumta që shoqërojnë nxënësit për të nisur shkollën. Ndërsa pohon se për të blerë librat familjes së saj i është dashur të kursejë dy muaj nga ndihma ekonomike.
Në ç’kushte nisi mësimi në shkollën tuaj?
Na ishte thënë se vitin e ri shkollor do të fillonim në kushte komode, por sot, në ceremoninë e organizuar në orët e para të mëngjesit na njoftuan se shkolla e mesme do ta nisë mësimin pas një jave, pas përfundimit të rikonstruksionit të shkollës. Thonë se ka nisur mësimi në katin e tretë të shkollës për nxënësit e shkollës 9-vjeçare, por kjo nuk është e vërtetë, pasi mungojnë stolat, bankat dhe orenditë e tjera.
Sa para kushtuan librat për një nxënës të klasës tuaj dhe a kishit mundësi financiare t’i blinit ato?
Librat e vitit të tretë të shkollës tonë të mesme kanë kushtuar 8200 lekë, ndërkohë që familja ime përfiton 4100 lekë në muaj ndihmë ekonomike. Prindërit janë detyruar të marrin para borxh për librat dhe rrobat që ne kemi veshur për ditën e parë të shkollës.
Shpresoni për një vit të mbarë mësimor?
Kështu do të kishim dëshirë, por është mjaft e vështirë të kemi një vit mësimor siç ne e dëshirojmë. Askush nuk thotë se kur do të përfundojnë punimet. Askush nuk ka dijeni nëse do të vijë baza materiale. Ndërkohë ka pasur lëvizje të shumta të mësuesve, duke krijuar çoroditje e amulli në disa shkolla.

Mësim me turne në gjimnazet e Tiranës

Hapja e dyerve të shkollave për nxënësit e sistemit parauniversitar është shoqëruar me probleme. Mungesa e librave ka qenë shqetësimi kryesor për shkollat 9-vjeçare. Pothuajse asnjë klasë nuk i ka në dorë të gjitha tekstet mësimore. Që në ditën e parë të shkollës, mësuesit filluan shpjegimin ndërsa nxënësit, mbanin shënime me dorë në fletore. Sipas drejtorive të shkollave, mungesa e librave ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve mes shtëpive botuese dhe librarive. Për këtë arsye, pikat e shitjes së librave për të njëjtën shkollë janë ndryshuar disa herë. Ndërsa për nxënësit që këtë vit nisin vitin e parë të shkollës së mesme, mësimi do të vazhdojë deri në orët e darkës. Mësimi me turne do të kryhet në pjesën më të madhe të gjimnazeve. Klasat e tyre vijojnë të jenë të mbipopulluara. Ka raste kur mësimi bëhet tre veta në një bankë. Vetëm në gjimnazin “Qemal Stafa” janë 1200 nxënës, nga të cilët rreth 500 për herë të parë. Vitin e kaluar fluksi i nxënësve ishte përqendruar në shkollat 9-vjeçare, pasi për herë të parë u aplikua reforma që bëri kapërcimin e tyre nga sistemi 8-vjeçar. Ndërsa këtë vit problemet i janë rikthyer shkollave të mesme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›