E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushti, master kush jep mësim në gjimnaz

 

zirina llambro

Jo më vetëm një diplomë, si kusht për të qenë mësues gjimnazi. Të gjithë arsimtarët duhet që veç saj të kenë edhe kualifikimin master. Këtë parashikon drafti i Ministrisë së Arsimit. Ky kriter do të vlejë jo vetëm për ata që duan të zënë një vend pune, por edhe për mësuesit që aktualisht japin mësim. Nëse nuk kryejnë studimet shtesë ata rrezikojnë vendin e punës.  Gjithçka do të vlejë për ata që janë diplomuar në sistemin e vjetër universitar 4-vjeçar, ashtu edhe për ata të diplomuar sipas Kartës së Bolonjës. Por këtë ndryshim që pritet të vihet shumë shpejt në zbatim nuk e kanë pritur mirë jo vetëm mësuesit e vjetër, por edhe një pjesë e mirë e drejtuesve të shkollave të mesme. Ata sqarojnë se në gjimnaze ka mësues, të cilët duan edhe pak vite që të dalin në pension, dhe e kanë të pamundur të nisin studimet për kualifikimin master, siç kërkohet nga MASH. “Por këta mësues kanë 30 vite eksperiencë mbi supe dhe nuk mund të hiqen nga puna vetëm se nuk kanë master. Ashtu siç është jo normale të nisin në këtë moshë këtë lloj kualifikimi. Ne jemi dakord që mësuesve të rinj t’u vendoset ky kusht, por nga ana tjetër kërkojmë përjashtime për këtë kategori mësuesish”, kanë deklaruar në emër të arsimtarëve një pjesë e drejtuesve të shkollave të mesme. Por, nga ana tjetër, dijet e tyre dhe eksperienca ndër vite janë të nevojshme për shkollën dhe gjimnazistët. Ndërkaq, sipas  Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kjo reformë ka për synim riformatimin e cilësisë së mësimdhënies në gjimnaze. Por, ndërsa flet për kriterin “master” si detyrim, drafti i MASH-it parashikon gjithashtu, që në vitet e para të shkollave të mesme të japin mësim mësuesit që kanë kualifikimet më të ulëta krahas diplomës universitare, në vitet e dyta mësuesit me master dhe në vitet e treta, ata që kanë kualifikimet më të larta.
Kushtet e draftit
Në draft parashikohen edhe ndryshime në kuadrin ligjor. Ato vijnë si rrjedhojë e reformës që do të aplikohet. Një ndër nenet bazë që do të përmbajë ligji i ri për arsimin e mesëm do të jetë pikërisht ai i kualifikimeve. Sipas specialistëve të arsimit, kriteri i masterave do të vlejë jo vetëm për ata mësues të cilët japin mësim në gjimnaze apo duan të punësohen aty, por edhe për mësuesit e shkollave të mesme profesionale në të gjithë vendin. “Edhe për ta është parashikuar që mësuesi i çdo shkolle të mesme profesionale, veç diplomës universitare, duhet të zotërojë edhe kualifikimin master, si në rastin kur është diplomuar në sistemin e vjetër universitar 4-vjeçar, edhe kur ka kryer tre vjet studime sipas Kartës së Bolonjës”, sqarojnë specialistët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›