E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollat Steve Jobs- Një metodë e re mësimdhënieje

Zhvillimi i teknologjisë po ndryshon mënyrën e të punuarit. Në Hollandë është hapur një sistem i ri mësimor i bazuar tërësisht tek iPad. Tashmë fëmijët nuk janë të detyruar të shkojnë në shkollë dhe të nxjerrin librat, por iPad-in. Ndërsa mënyra e të mësuarit është tërësisht individuale. Kjo formë e re ka ngjallur debat, disa e përkrahin metodën e re të mësimdhënies por ka nga ata që janë skeptik dhe përkrahin metodën e vjetër.

Sipas Deutsche Welle fëmijët në shkollën fillore Digitalis, e cila ndodhet në Almerë, rreth 40 km në lindje të Amsterdamit nxënësit në klasë nuk nxjerrin libra, por tableta. Digitalis është një nga 7 shkollat fillore që janë hapur këtë vit. Në kët shkollë gjithçka është dixhitale dhe librat janë të rrallë. Ideja për këto shkolla vjen nga sipërmarrësi holandez Maurice de Hond. Ai thotë se nuk kishte arritur të gjente një shkollë që të përgatiste si duhet vajzën e tij katërvjeçare për një të ardhme, ku teknologjia luan një rol kyç.

"Nëse i hedh sot një vështrim zyrave, nuk ka më orare fikse nga 8:30 deri në 5:00. Bëhet fjalë më shumë për performancën. Kjo mënyrë moderne pune është bërë e mundur nga bota digjitale, sepse edhe kur je në shtëpi, je i lidhur me zyrën dhe kolegët. Pra kjo është bota, për të cilën duhet të pregatisim fëmijët dhe ne duam ta organizojmë në këtë drejtim shkollën, duke i bërë fëmijët shumë më të pavarur dhe të përgjegjshëm", thotë de Hond.

Mësimi dixhital iu ofrohet 140 fëmijëve nga 6-8 vjeç. Vitin e ardhshëm do të shtohen edhe 60 nxënës të tjerë. Njerëzit prapa këtyre shkollave Steve Jobs po zhvillojnë mjetet e tyre për një interaktivitet të plotë në distancë. Ideja është që fëmijët të kenë mundësi të punojnë prej kudo dhe në çdo kohë, ndërkohë që janë virtualisht të lidhur me shkollën e tyre.

Beni është 7 vjeç dhe mëson në këtë shkollë. Ai tregon se si mëson nëpërmjet aplikacioneve. Detyra e Benit është të ushqejë peshkun me numër 3. Nëse në ekran shfaqet ushqim me numra më të vegjël, ai duhet të presë, derisa t'i mbledhë ata dhe vetëm atëherë mund ta ushqejë peshkun.

“Unë mendoja se metoda e deritanishme ishte e panatyrshme. Fëmijëve nuk u pëlqente të bënin ato që u thoja, por i bënin të detyruar. Nuk u pëlqente të mësonin, por mësonin sepse unë ua kërkoja këtë. (...) Ndërsa tani e di se ata mësojnë për vete. Ata e dinë se çfarë duhet të mësojnë dhe të vazhdojnë të mësojnë", shprehet mësuesja e Benit Yvonne Kieft e cila ka punuar 39 vite si mësuese me metodën e vjetër. E pikërisht kur ajo donte t’i jepte fund karrierës filloi aplikimi i metodës të re të mësimdhënies.

Shkollat Steve Jobs kanë ndryshuar rolin e mësuesit. Ata janë bërë më shumë trajnerë, që drejtojnë fëmijët ndërkohë që ata mësojnë sipas ritmit të tyre. Fëmijët kanë mësues të ndryshëm për lëndë të ndryshme. Por orët e mësimit quhen "ëorkshops" dhe fëmijët, që i ndjekin nuk janë të njëjtët. Ata mund të jenë nga tri vite të ndryshme akademike dhe disa prej tyre mund ta ndjekin më shpesh ëorkshop-in, nëse janë prapa.

Kritikat
"Shkolla iPad ashtu si e shoh unë, do të formojë fëmijë shumë individualistë, me sjellje autiste, të cilëve u mungojnë aftësitë e nevojshme empatike për të komunikuar dhe punuar me njerëz të tjerë. Mendoj se aftësia e sjelljes në komunitet është diçka, që duhet mësuar në shkollë. Unë jam e mendimit se shkolla iPad po krijon mendje shumë teknokrate, mekanike, të cilat mund të funksionojnë vetëm në botë e tyre të vogël tejet individualiste", shprehet filozofja dhe shkrimtarja Joke Hermsen e cila ka një përvojë 25-vjeçare në mësimdhënie.

Shkollat Steve Jobs nuk po operojnë ende me kapacitet të plotë. Sipas ligjit holandez fëmijët duhet të ndjekin çdo ditë shkollën dhe kjo bie ndesh me konceptin e ri të mësimit në distancë. Por ministria përkatëse ka premtuar se do ta shqyrtojë modelin dhe nëse rezulton se nuk ka efekte negative, mund t'i lejojë shkollat të eksperimentojnë duke i lejuar fëmijët të mësojnë dhe jashtë mureve të klasave. 

(a.h/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›