E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollat, Tafaj: Gjuha e huaj që në klasën e parë

MASH po diskuton mundësinë që edhe në klasat parashkollore, fëmijët të mësojnë elementët e parë të një gjuhë të huaj

Gjuha e huaj do të futet si lëndë mësimore në shkollat e vendit që në klasën e parë.

Deklarata është bërë nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë një takimi me nxënësit e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë, që është zhvilluar në kuadër të Ditës Europiane të Gjuhëve. Ministri Tafaj ka bërë të ditur se projekti po punohet në Ministrinë e Arsimit dhe mendohet që të aplikohet shumë shpejt në sistemin 9-vjeçar. Sipas tij, gjatë këtij viti, në të gjitha shkollat e vendit do të fillojë të zbatohet projekti “Si të njohim Europën”, ndërkohë që po diskutohet mundësia që edhe në klasat parashkollore, ku fëmijët janë vetëm 5 vjeç të mësojnë elementët e parë të një gjuhë të huaj. Kreu i Arsimit ka ngritur edhe shqetësimin se në Shqipëri ka pak qendra për studimin e gjuhëve të huaja, ndërsa nuk ka kapacitete për të përballuar të gjitha kërkesat e nxënësve apo të rriturve për të mësuar një gjuhë të huaj. “Është shumë e rëndësishme të krijohen qendra të gjuhëve të huaja, ku të ofrohen shumë gjuhë përmes kurseve jashtë programit mësimor. Këto qendra mund të ofrojnë si shërbim dhe kushte për të rritur, por që janë të interesuar të mësojnë gjuhë të huaja. Zotërimi i disa gjuhëve është parësor, jo vetëm për të rritur shanset për punësim për tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të punës, por ajo që është më e rëndësishme për t’u ndjerë i barabartë dhe i integruar në një shoqëri demokratike”, - tha ministri Tafaj. Në takim mori pjesë dhe kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi. Përveç mesazhit se gjuha e Europës është gjuha e paqes, ambasadori Sequi dha dhe një lajm të mirë për nxënësit e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja, se BE do të mbështesë shkollën e tyre me projekte, me synim forcimin e standardeve. Sot në vend, rreth 35 përqind e maturantëve që mbarojnë gjimanzin konkurrojnë ne degë të ndryshme që kanë bazë gjuhët e huaja.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›