E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e re e financimit, rriten tarifat në universitetet publike

SHKRUAN: Jonida Tashi 28-09-2011 13:33

Tarifat e studimit nё universitetet publike parashikohet që në vitin 2013, kohë kur pritet të hyjë në fuqi skema e re e financimit, të pësojnë rritje. Nё kuadёr tё masave tё reja pёr financimin e universiteteve, qeveria parashikon se disa nga kёto tarifa ka tё ngjarё tё rriten, megjithёse jo shumë nё thelb. Në draftin për financimin e arsimit të lartë përcaktohet se qeveria do të vendosë nivelin maksimal të tarifave që një universitet publik mund të zbatojë për studentët sipas “kuotave”, i cili mund të variojë sipas degëve dhe universitetit. Ky nivel do të jetë për një vit të plotë akademik, me tarifa shkollimi part-time për studentët “sipas kuotave”, duke qenë “në përpjesëtim” të tarifave për studimet me kohë të plotë. Ndërkohë që për disa programe studimi qeveria do të vendosë një maksimum të ulët, që të inkurajojë studentët, për shembull, për diplomat e reja profesionale dyvjeçare ose për programe në shkenca/inxhinieri.

Reforma

Brenda muajit tetor reforma financiare pritet që të diskutohet në një tryezë të përbashkët nga të gjithë aktorët e interesit. Detajet nuk janë bërë ende publike, por e sigurt është nga ajo që ka lënë të nënkuptohet edhe ministri i Arsimit, se reforma do të sjellë një rritje të tarifave të shkollimit, por nga ana tjetër ai shprehet se të rinjve do t’u krijohen mundësi më të shumta e më lehtësuese për marrjen e kredive. “Dokumenti përfundimtar politik është studiuar në të gjitha departamentet dhe fakultetet e universiteteve tona. Kanë filluar të vijnë komentet. Ne së shpejti do të kemi një konferencë me të gjitha universitetet për ta shpallur të gjithë paketën e reformës financiare, e cila po shkon drejt përfundimit. Duhet të merrni anën tjetër të problemit, asnjë student nuk do të detyrohet të financojë nga kursimet e familjes, po do ketë një institucion që do t’i japë kredi gjithë studentëve për financimin”, - deklaroi dje ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, pas shpërndarjes së diplomave të nivelit të dytë për kërkuesit në shkencat albanologjike. Tashmë në të gjitha universitetet publike dhe private të vendit ka mbërritur drafti i ri për financimin. Sipas këtij drafti, qeveria do të rregullojë ekuilibrin e “ndarjes së kostove” midis shtetit dhe studentëve për të reflektuar më nga afër natyrën e “përfitimit personal” që studentët marrin nga edukimi i tyre i lartë. Në draft argumentohet se të diplomuarit nga universitetet përfitojnë në mënyra të ndryshme, po të krahasohen me moshatarët e tyre që nuk frekuentojnë universitetin. Ky “përfitim personal” plotësohet nga “përfitimi publik” që të diplomuarit i japin zhvillimit të shtetit. Qeveria konsideron që ekuilibri midis këtyre dy përfitimeve nuk është i reflektuar mirë në ekuilibrin aktual të barrës së kostove midis shtetit dhe individit për arsimin e lartë. Për më tepër, autonomia e re dhe metoda e re e financimit ka të ngjarë që të kërkojnë një rritje të të ardhurave të universiteteve publike nga burime të tjera joqeveritare. “Për të dyja arsyet, qeveria propozon që të lejojë universitetet që të rrisin tarifat e shkollimit, që studentët e rinj të ciklit të parë u paguajnë universiteteve publike. Do të varet prapë nga universitetet që të përcaktojnë tarifat për studentët e ciklit të dytë dhe të tretë, për sa kohë që ato nuk janë më të larta se kostoja e studimeve. Tarifat e shkollimit do të mbahen nga universiteti dhe nuk do të taksohen. Rritja për tarifat e ciklit të parë nuk do të jetë dramatike, por do të bazohet përafërsisht që të jetë diku te mesatarja e diferencës midis kostove të universitetit dhe financimit publik. Tarifat e shkollimit për studentët ‘do të plotësojnë’ fondet publike të siguruara nga qeveria”, - përcaktohet në draft. Më tej, në të thuhet se qeveria është e gatshme të garantojë që hyrja e studentëve në arsimin e lartë të mos frenohet në asnjë lloj mënyre nga rritja e tarifave. Për këtë qëllim, do të zhvillohet një skemë e re për Kredinë Studentore, që do të jetë e disponueshme për të gjithë studentët “brenda kuotave” përpara se rritja e tarifave të hyjë në fuqi. Kjo skemë do të bëjë të mundur që çdo student “brenda kuotave” t’i ndjekë studimet në një universitet publik pa pagesa në avancë. Kështu që nuk do të ketë barriera financiare për hyrje në universitet për asnjë student, pavarësisht gjendjes social ose ekonomik personale apo të familjes së tij. Sipas kësaj skeme, huaja do të fillojë të paguhet vetëm pasi studenti të ketë mbaruar universitetin, të ketë filluar punë dhe të fitojë të ardhura. Aktualisht, detajet e skemës për huanë financiare janë duke u zhvilluar nga një konsulent ndërkombëtar.

Rritja për tarifat e ciklit të parë nuk do të jetë dramatike, por do të bazohet përafërsisht që të jetë diku te mesatarja e diferencës midis kostove të universitetit dhe financimit publik

Huat studentore

Vlera maksimale e njё huaje studentore nё kёtё skemё ka tё ngjarё tё jetё pёrafёrsisht rreth niveleve maksimale tё tarifave studentore tё pёrcaktuara nga qeveria. Ajo do tё mbulojё tarifat shkollore tё studentit pёr kohёzgjatjen e planifikuar tё programit. Shlyerja e huasё do tё fillojё vetёm pasi studenti ka filluar tё fitojё tё ardhura dhe mbase njё vit ose dy pas kёsaj. Në raste tё veçanta, teprica e një huaje mund të hiqet si detyrim. Brenda skemёs, qeveria mund tё japё ndonjë formё subvencionimi dhe/ose garanci. Studentët që kualifikohen për hua sipas skemës, do të jenë ata të rekrutuar nën kuadrin e “kuotave” të financuara, si për universitetet publike, ashtu dhe për ato private. Skema do të futet gradualisht me huat e vëna në dispozicion vetëm për studentët e ciklit të parë që fillojnë universitetin pas futjes së skemës. Studentëve jo pjesë e kuotave, që paguajnë “koston e plotë”, do t’u nevojitet të vetësigurojnë tarifat e studimeve si për universitetet publike, ashtu dhe private. Bankat mund të jenë të përgatitura t’u japin hua këtyre studentëve, gjithashtu, por kjo nuk do të jetë nën skemën e huave të qeverisë.

Skema e bursave

Për më tepër, qeveria do të prezantojë Skemë Bursash për studentët më të mirë, e cila do të mbulojë tarifat e tyre të shkollimit. Bursat do të caktohen afërsisht për 1% të studentëve më të mirë (vlerësuar sipas rezultateve të Maturës) në secilën nga 11 degët e përcaktuara, pa pasur rëndësi se në cilin universitet shqiptar ata zgjedhin të studiojnë. Në qoftë se fondet e lejojnë, bursat mund të zgjerohen te më shumë se 1% e studentëve më të mirë në degët me subjekte prioritare. Qëllimi është që bursa të zgjasë për kohëzgjatjen e programit të studentit, por, në qoftë se performanca e tij/saj është qartësisht e dobët, bursa e tij/saj do të rishikohet. Në qoftë se fondet e lejojnë, qeveria do të konsiderojë gjithashtu vënien e një numri të kufizuar bursash në dispozicion të studentëve të shkëlqyer të cikleve të dyta dhe/ose të treta. Në draftin e financimit argumentohet se marrëveshjet aktuale për subvencionimet që janë dhënë për akomodimin e studentëve, janë të padrejta, jo më së paku në faktin që ato sjellin përfitime te studentët që u rastis ta marrin, ndaj qeveria do ta rishikojë këtë pozicion, me qëllim që ta bëjë më të drejtë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›