E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollat e Tiranës do të "flasin" gjermanisht

Nxënësit e gjimnazit "Sami Frashëri" në Tiranë, duke nisur nga viti shkollor i ardhshëm do të mund të regjistrohen në seksionin dy gjuhësh shqip-gjermanisht. Por kjo gjuhë do të hyjë edhe në programin mësimor të shkollave 9-vjeçare "Fan Noli", "Avni Rustemi" dhe "Jeronim De Rada", në kryeqytet. Një shtim i tillë në linjën tradicionale të mësimit të gjuhëve të huaja Anglisht dhe Frëngjisht është mundësuar falë nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi për hapjen e një seksioni dygjuhësh gjermano-shqiptar mes ministrit të Arsimit, Fatos Beja dhe ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë, Bernd Borchardt. Ky akt u nënshkrua dje në ambientet e Ministrisë shqiptare të Arsimit. Seksioni dygjuhësh, krahas mësimit intensiv të gjermanishtes përfshin dhe mësimdhënien e lëndëve të caktuara në gjuhën gjermane, si matematikë, gjeografi, fizikë dhe kimi. Në fund të shkollës këta nxënës kanë mundësi të japin provimet e maturës në shqip dhe gjermanisht. Ministri Beja theksoi se nxënësit që mbarojnë këtë seksion dygjuhësh, përveç dëftesës së Pjekurisë do të marrin edhe një diplomë të gjuhës gjermane, që certifikon njohuritë e saj, sipas standardit gjerman". Beja i ka mëshuar faktit se "ambicia jonë është që të gjithë nxënësit shqiptarë, të cilët mbarojnë shkollën e mesme, të jenë në gjendje të komunikojnë në dy gjuhë të Bashkimit Evropian". Ai tha se gjermanishtja është një nga pesë gjuhët e BE-së, që mësohet në shkollat tona. Ne duam që ta shtrijmë këtë gjuhë në sa më shumë shkolla në mënyrë që të jetë një ofertë për një shumicë nxënësish në gjithë qytetet e Shqipërisë, krahas gjuhëve të tjera. Sipas ministrit të Arsimit, objektivi është që diplomat e nxënësve të jenë të përputhshme me kuadrin e referencës evropiane të gjuhëve. Kjo lehtëson vijimin e studimeve të tyre në të gjitha vendet e Evropës, por edhe proceset integruese të Shqipërisë. Ndërsa Ambasadori Borchardt vlerësoi mundësinë që po i hapet gjermanishtes në shkollat shqiptare, si një gjuhë që flitet si gjuhë amtare nga pothuaj ¼ e vendeve të BE-së dhe si gjuha e dytë më e rëndësishme zyrtare brenda BE-së. "Prej pak më tepër se 2 javësh, tha ambasadori, vendet tona janë partnere në kuadër të NATO-s dhe mendoj se në një të ardhme të parashikueshme e të afërt do të jemi edhe partnerë në kuadër të BE-së. Kjo rrit nevojën reciproke për t‘u kuptuar dhe mirëkuptuar bashkërisht nga pikëpamja gjuhësore. Mirëkuptimi i përbashkët është më i mundshëm nëpërmjet gjuhëve reciproke. BE dhe NATO janë organizata me më tepër se sa 20 anëtarë dhe sigurojnë bashkëjetesën e tyre nëpërmjet kompromiseve të zgjedhura, midis vendeve anëtare. Dhe kompromiset janë të mundshme vetëm atëherë kur partneri në bashkëbisedim kuptohet. Edhe për këtë, zotërimi i gjuhës është një kusht paraprak thelbësor".

Një motiv tjetër mjaft i rëndësishëm në kuadër të këtij programi, sipas ambasadorit Borchardt, është mbështetja e rinisë në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›